“Dallgë kishte, u munduam t’i shpëtojmë” Tragjedia me tre të mbytur në Vilë-Bashtovë, arrestohet administratori i plazhit

Një ditë pas tragjedisë së trefishtë në plazhin e Vilë- Bashtovës, ku u mbytën babai së bashku me dy djemtë e tij të mitur, policia ka vënë në pranga administratorin e plazhit. 34 vjeçari P. Nika akuzohet se nuk kishte marrë masa për sigurimin e jetës së pushuesve në atë zonë, pasi nuk kishte garantuar shërbimin e vrojtuesit të plazhit si dhe nuk kishte pajisur me sinjalizim (me bova) hapësirën ujore.

Elvis Halilaj 50 vjeçar, së bashku me dy fëmijët e tij 15 e 13 vjeç, u rrëmbyen nga rrymat detare (në zonë derdhet lumi Shkumbin). Ishin pushuesit në këtë plazh të cilët dhanë ndihmën e parë, ndërsa sipas disa dëshmitarëve, ambulanca mbërriti me vonesë në vendin e ngjarjes.

“Kishte dallgë, sapo erdhëm në mëngjes e pamë që kishte dallgë, fëmijët tentonin shumë të hynin, më erdhi e papritur se vetëm një moment pamë që një ndër personat që ishin aty ngriti dorën dhe në atë moment u turrëm, isha aty afër, ishte një me kajak, u turrëm dhe i kapëm, i nxorëm në breg i shtrimë, menduam se ishte një, kur pamë që ishin tre veta, ai babai ishte i bëshëm mezi e nxorëm, i nxorëm në breg dhe kush mundi nisi t’i bënte masazh”, tha njëri prej pushuesve që u erdhi në ndihmë të ndjerëve.

“Ne nuk po e kuptonim se çfarë po ngjante kur po vinin. Menduam se mos ishte një, kur thanë janë dy janë tre, mbetëm të shokuar. Dy djemtë e vegjël na dhanë shpresë së po reagonin nga masazhet, ndërsa i ati që në fillim ishte i pashpresë” tha një dëshmitare tjetër.

Pushuesit po ashtu tregojnë se në këtë plazh ka një kullë vrojtimi, por jo roje bregdetare.