Dardan Krivaqa dënohet përjetë për vrasjen e Marigona Osmanit, momenti kur nisin brohorimat në sallën e gjyqit

Gjykata Themelore e Ferizajt ka shpallur fajtor Dardan Krivaqën e Arbër Sejdiun, për vrasjen e 18 vjeçares Marigona Osmani.

Krivaqa, i akuzuar si autori kryesor i krimit të rëndë, është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa miku i tij Arbër Sejdiu, do të vuajë 15 vite burgim.

Teksa trupa gjykuese lexonte verdiktin, në sallën e gjyqit shpërthyen brohorimat e duartrokitjet kur gjykatësi lexoi vendimin për burgim të përjetshëm për Krivaqën.

“Me burgimin e përjetshëm jemi plotësisht të lumtur, me të dytin jo”, tha Remzi Osmani, xhaxhai Marigonës.

Fjala e gjyqtarit: Si u shkaktua vdekja e Marigona Osmanit?

“Gjatë dy ditëve rresht, kohë pas kohe, në vazhdimësi, me një shkop të drurit e godet viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike. Nga pasojat e kësaj dhune ekstreme të shkaktuara nga shtypja, goditjet, apo përplasjet me ndonjë mjet të fortë dhe të rëndë mprehës, shkaktohet vdekja e së ndjerës Marigona Osmani, e cila ka ardhur si rrjedhojë e politraumës, lëndimeve të shumëfishta.

Politrauma dhe vdekja kanë ardhur drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasoja të gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme, nga thyerjet e ashtit të nofullës së poshtme, thyerjet e brinjëve djathtas dhe majtas, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputjes parciale të palcës së kurrizit në qafë, dhe të ndjerën, [Krivaqa] me ndihmën e të pandehurit Arbër Sejdiu e dërgon në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty”.

“Nga kjo vepër penale janë shkaktuar pasoja të rënda në familjen e së ndjerës dhe është shkaktuar shqetësim i madh edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë gjyqtari Sahit Krasniqi.

Krivaqa dhe Sejdiu, u liruan megjithatë nga akuza e dhunimit, pasi sipas Gjykatës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar diçka të tillë.

Ndryshe sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e të ndjerës Marigona Osmani, e ka përdhunuar 18 vjeçaren e mandej e ka torturuar deri sa ajo ka humbur jetën.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Krivaqa në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje e ka ndihmuar mikun e tij në kryerjen e veprës penale të dhunimit. Po sipas aktakuzës, konkretisht në dispozitivin e tretë, dy të pandehurit ngarkohen me veprën penale të vrasjes së rëndë të kryer në bashkëpunim.