Debati për plehrat, motivi që la të plagosur me thikë pushuesin e Kosovës në Shëngjin

Mbrëmjen e djeshme dy pushues në Shëngjin janë përplasur fizikisht mes tyre, ndërsa konflikti ka përfunduar me përdorimin e thikës nga njëri prej tyre.

Rezulton se zanafilla e sherrit mes dy burrave (shqiptarë të Kosovës) kanë qenë debatet për hedhjen e mbeturinave.

59 vjeçari Selim Bllaca, i ka kërkuar 66 vjeçarit Hazir Berisha (fqinji) që të mos i hidhte plehrat vend e pavend. Në orët e paradites dy burrat kanë debatuar mes tyre, ndërsa në mbrëmje (dje, enjte) sherri ka degraduar në grushte e mandej në përdorimin e thikës nga ana e 66 vjeçarit Hazir Berisha.

Si pasojë, Bllaca ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në spital për t’ju nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale.

 “Shëngjin/Plagosi me thikë një 59-vjeçar pas një konfliki të çastit, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë,identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Rreth orës 21:00, në Shëngjin, pas një konflikti të çastit, shtetasi kosovar H. B. 66 vjeç, ka plagosur me thikë shtetasin S. B. 59 vjeç, banues po në Kosovë.

I dëmtuari është dërguar në Spitalin Rajonal Lezhë, për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.

Falë veprimeve të shpejta hetimore operacionale, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 66-vjeçarit, si autor i dyshuar si dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i armës së ftohtë ( thikës) e dyshuar e përdorur nga autori.

Vijojnë veprimet hetimore nga grupi hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.”-njoftuan më parë autoritetet.