Dëbora mbulon veriun e Shqipërisë

Thuajse i gjithë veriu i vendit është zgjuar të shtunën i zbardhur nga reshjet e dëborës.

Në qytetin e Kukësit trashësia e dëborës ka arritur deri në 5 cm, ndërsa në zonat e thella reshjet kanë qenë shumë më të dendura, duke depozituar afro 40 cm dëborë.

Zonat më të prekura janë fshatrat Shkinak, Tërshen, Turaj, Xhafere, Kollovoz, Stanet, Novesojt e Arrën. Lëvizja në këto zona bëhet vetëm me mjete të larta pasi trashëdi e dëborës i kalon 40 cm.

Në Has probleme me reshjet e dendura të dëborës janë shfaqur në fshatrat Kishaj, Cahan, Muje e Pogaj. Prej sasisë së borës, ka probleme me qarkullimin e mjeteve.

Aktualisht, njësitë administrative Topojan, Shishtavec, Zapod, Surroj e Kolsh në Kukës janë pa furnizim me energji.

Në lidhje me akset rrugore, Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se reshjet e dendura kanë nisur në mbrëmje, ndërsa borëpastrueset kanë vijuar punën pa ndaluar.

“Në Rajonin Verior në akset Bajram Curri-Valbonë, Ura e Zapodit-Shishtavec, Pukë-Fushë Arrëz-Kalimash, Kukës-Bushtricë, Kukes-Krumë, Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh, Bogë-Theth, Qafë Mali -Fierzë, Ura Bujan-Qafë Morinë gjatë natës ka pasur reshje dëbore me intensitet të lartë, mjetet borëpastruese kanë vijuar punën pa ndalur”, bën të ditur ARRSH.

Reshje dëborë janë regjistruar edhe në zonat malore në juglindje të vendit, në Dardhë e Velipojë të Korçës.

Ndërkohë në verilindje, konkretisht në një pjesë të Rrugës së Arbrit, ka prezencë të madhe të mjegullës. Zona e prekur nga mjegulla e dendur ndodhet në bypass-in e Murrizit, mjegull e cila ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve