Disa zona të Turqisë janë përballur ditët e fundit me temperatura ekstreme të të ftohtit. Ndikuar dhe nga rrymat e arktike ardhur nga Siberia, distrikte si Sivas apo Imranli përjetuan temperatura afro minus 30 gradë Celsius.
Për shkak të motit të ftohtë e dëborës së vazhdueshme, autoritetet paralajmëruan qytetarët që të mos dalin jashtë pa qenë e nevojshme, veçanërisht fëmijët e të moshuarit.
Në qytetin malor Gole në Ardahan, temperatura arriti në minus 33.8 gradë Celsius, një rekord për zonën. Në Erurum termometri shënoi minus 27.2 gradë, ndërsa në fshatin Berzihane minus 28.7 gradë Celsius.





Media turke raporton se lumi më i gjatë në vend, Kizilirmak, ka ngrirë për shkak të të ftohtit. Në orët e mbrëmjes në veçanti, temperatura bien në minimume historike, ndërsa përgjatë ditës dëbora mbulon me petkun e saj zonat e prekura nga i ftohti siberian.
Stambolli është goditur gjithashtu nga bora dhe temperaturat e ulëta, Ka patur probleme në qarkullimin e automjeteve, disa shkolla janë mbyllur, madje edhe trafiku detar është pezulluar. Të gjitha shërbimet e urgjencës në vend janë në shërbim 24 orë në ditë.
Sipas parashikimit, moti do të ndryshojë duke filluar nga e marta, ku temperaturat pritet të jenë mbi zero gradë. Të enjten parashikohet që termometri të kalojë mbi 10 gradë Celsius.

