Delvinë: Babë e bir rrahin 54 vjeçarin pas sherri për motive banale, i lënduari flet nga spitali

Dy shtetas të moshave 44 e 17 vjeç (babë e bir) kanë goditur me sende të forta një 54 vjeçar fill pas një konflikti për motive banale, që nisi pas përplasjes së automjeteve.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë referuan materialet në Prokurori dhe proceduan në gjëndje të lirë shtetasit B. A., 44 vjeç dhe djalin e tij të mitur E. A., 17 vjeç, pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin, për motive të dobëta (konflikt i nisur nga një përplasje e automjeteve me dëme materiale), kanë goditur me sende të forta shtetasin K. Dh., 54 vjeç, banues në Gjirokastër.”-njoftoi policia.

54 vjeçari i quajtur Kristo Dhima rrëfeu për median se i njeh babë e bir, përfshi dhe disa persona tjerë që erdhën dhe e qëlluan.

“Po ikja te zyrat dhe më vjen një furgon i verdhë, vetëm mbaj mend targat Vlorë. Mbaj mend vetëm një djalë të ri me bluzë të verdhë, i cili shumë shpejt më godet. Edhe pasi më goditi, kthehet mbrapsh pasi më goditi, kthehet mbrapsht siç e ka mosha e ktyre që shajnë dhe bërtasin, edhe i thash thirr babanë dhe do të marrë në polici ta sqarojmë këtë muhabet. U zhduk, unë po rrija aty dhe vjen babai veti katërt. Unë i njoh se kanë një stallë përballë zyrave dhe flisnim çdo mëngjes normalisht. Për mua ajo goditje ishte e sajuar, me leva, 4 veta, pa folur se ça ndodhi”, u shpreh ai.