Denis Meçe tentoi t’i vërë “gjobë” Egli Progës, pas refuzimit babai i dy fëmijëve u rrah për vdekje

Denis Meçe ka tentuar t’i vendosë “gjobë” 42 vjeçarit Egli Proga, babait të dy fëmijëve që u rrah për vdekje me grushte nga ana e 29 vjeçarit.

Është kjo pista e re e hetimit në ngjarjen tragjike që ndodhi disa ditë më parë në Pogradec. Kur 29 vjeçari i ka kërkuar “haraç” 42 vjeçarit, ky i fundit ka refuzuar duke thënë se paratë e lokalit të familjes, i ka për të rritur dy fëmijët e tij.

Pas refuzimit, 29 vjeçari e ka rrahur barbarisht Eglin, i cili u shemb në tokë disa minuta më vonë e ndërroi jetë më tutje në spital.

Këtë të martë, gjykata e rrethit të Korçës vendosi të lërë në masën e arrestit me burg Meçen, ndërsa tre të akuzuarit e tjerë janë lënë në masën e detyrimit të paraqitjes.

Njoftimi i Gjykatës:

“Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 13.08.2024 ora 11:00 seanca me objekt: “Vleftësim arresti në flagrancë, caktim mase sigurimi”, ndaj shtetasve D.M, V.SH, A.M, L.G ku gjykata në përfundim vendosi: Pranimin e kërkesës.

1- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit D.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia” parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal.

2- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit V.Sh, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.

3-Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit A.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.

4-Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit L.G, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Korçës.