Dëshmia e vajzës që vrau të atin në Durrës: Jam e lumtur, nuk pendohem fare… ai na ka nxirë jetën

“Jam e lumtur që e vrava babain, ai na ka nxirë jetën”

Kështu ka deklaruar para hetuesve Hygerta Meta, 19 vjeçarja e cila ka thënë se ka qenë ajo autorja e vrasjes së të atit 50 vjeçar, trupi i të cilit u gjet i groposur në oborrin e shtëpisë, 10 ditë pasi u denoncua zhdukja e tij.

Pa asnjë shenjë pendese për krimin e rëndë, 19 vjeçarja ka thënë ndër të tjera se viktima torturonte atë dhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjes.

“Jam e lumtur që e kreva unë këtë punë dhe nuk pendohem që kam vrarë tim atë. Ai na ka torturuar dhe i ka nxirë jetën nënës sime. Unë jam fëmija i vogël i familjes. Motra është më e madhja është e martuar, janë 2 vëllezërit dhe pastaj unë. Mami dhe ne nuk kemi folur kurrë në familje. Për gjithçka fliste dhe vendoste babai. Ai nuk na pyeste kurrë çfare dëshironim. Kur mori vendimin për martesën time aty erdhi fundi. Nuk dëgjoi çfarë unë doja. M’u mblodh një urrejtje për një kohë të gjatë”.

Në lidhje me momentin e krimit, 19 vjeçarja ka dhënë këtë përshkrim.

“Ditën e ngjarjes nuk u konfliktuam fare. Mora armën që babi përdorte kur shkonte në punë si roje dhe e qëllova brenda kasolles së bagëtive. Pas krimit e kam mbështjellë me një çarcaf pastaj me fasho e në fund me qese. Armën e hodha buzë detit”.

Hetuesit ndërkohë kanë dyshime të forta se krimi nuk ka për autor veçse 19 vjeçaren. Prej orësh në hetuesi po merren në pyetje nëna dhe dy djemtë e familjes. Që me zbulimin e krimit, autoritetet kanë ngritur dyshime për faktin nëse 19 vjeçarja ka qenë e aftë të planifikojë dhe ekzekutojë e vetme të atin, si dhe të largojë makinën e tij larg shtëpisë.