Dështojnë bisedimet Kosovë- Serbi, Borrell: Kurti insistoi fillimisht tek njohja ‘de facto’ e Kosovës

Raudi i ri i bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit u zhvillua si kaherë në Bruksel, por edhe kësaj here nga takimi palët nuk dolën me një dakordësim.

I pari që u shpreh për takimin ishte President i Serbisë, i cili tha se nuk pati marrëveshje e se Kurti i largohet idesë së implementimit të një Asociacioni të komunave me shumicë serbe.

Drejtuesi i politikës së jashtmë të BE-së Josep Borrell, tha në një konferencë para gazetarëve se Kryeministri i Kosovës ka kërkuar fillimisht njohjen de facto të Kosovës nga Serbia, e më tutje propozimet e tjera. Borrell theksoi se ndyshe nga Kurti,  Vuçiç e pranoi propozimin për të shkuar tek zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve (propozim me 11 nene i arritur në shkurt dhe i amenduar me një aneks shtesë pas marrëveshjes në Ohër).

Ndërkohë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi pas takimit se Serbia nuk ka ardhur për dialog por për të vënë përpara Kosovës kushte.

“Nuk ka propozim Beogradi. Ka dokument kushtëzues. Nuk mund të ketë kompromis mes propozimit dhe kushtëzimit”, tha Kurti, i cili më tutje shtoi se nuk ka patur dokumente si propozime, as nga pala serbe e as nga pala e Brukselit.

Një kritikë Kurti e drejtoi edhe kah emisarit të BE-së Miroslav Lajçak.

“Është për të ardhur keq që emisari evropian, Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë (kushti i Asociacionit)…në cenim të funksionit të tij si lehtësues dhe ndërmjetësues”.-tha kryeministri i Kosovës.

“Shpreh gatishmërinë time të plotë që secilin nen të Marrëveshjes bazike, secilën fjali të preambulës dhe secilën pikë të aneksit të Ohrit, jam i interesuar ta zbatojmë një orë e më parë – në plotni, pa asnjë kusht”, tha më tutje Kurti.

Por cila është marrëveshja bazike me 11 nene?

Dokumenti fillestar, të cilit tani shumica i referohen si Marrëveshja Bazë, u kërkon palëve të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë. Marwdhwnia normale nwnkupton qw palwt t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet e simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Teksti i plotw i marrwveshjes bazw

Palët kontraktuese,

Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes;

Të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës;

Të përkushtuara të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin e frytshëm rajonal në Evropë;

Të vetëdijshëm për paprekshmërinë e kufijve dhe respektimit të integritetit dhe sovranitetit territorial, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushtet themelore për paqen;

Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjet e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim midis palëve për të mirën e njerëzve, kanë rënë dakord që:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do t’i njohin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palëve në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë vlerat e përmendura në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Përderisa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm të normalizimit, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re në procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, që do të çojë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët bien dakord ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhshmërisë, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtje të mjedisit, persona të zhdukur, dhe fusha të tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të pajtohen në marrëveshjet shtesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Neni 7

Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse të qeverive.

Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët vënë në dukje angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për ta krijuar një pako të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhshmërinë, tranzicionin e gjelbër dhe në fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do ta krijojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara.

Neni 11

Palët angazhohen të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.