Vrasja e Liridona Ademajt e porositur e organizuar nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, ka tronditur opinionin mbarëpublik shqiptar. Një ditë pas arrestimit të Naim Murselit, media e Kosovës ka sjellë një seri me detaje në lidhje me ngjarjen, si dhe reagimet e familjarëve të Liridonës, nënë e dy fëmijëve të mitur.
Sipas mediave vendase, të cilat i referohen burimeve policore, orë pas arrestimit të tij, Naim Murseli e ka pranuar që ka qenë ai porositësi e organizuesi i vrasjes së të shoqes. Për këtë, Murseli kishte pajtuar një banor të fshatit të tij të lindjes, duke i premtuar 30 mijë euro që vrasja të ngjante si një grabitje e shkuar keq. 15 mijë euro Murseli ia kishte dhënë ekzekutorit, ndërsa gjysmën tjetër do t’ja jepte pas kryerjes së krimit. Veç bashkëfshatarit, nipi i Murselit, pjesë e FSK-së, (i arrestuar gjithashtu), prezumohet se ishte pjesë e të gjithë ngjarjes së rëndë.
Familja e të ndjerës ndërkohë, është deklaruar ashpër duke frikësuar autoritetet për një hakmarrje të mundshme. Vëllai i 33 vjeçares është shprehur se i ka kërkuar zyrtarisht autoritetet përkatëse zhvarrimin e trupit të të motrës (e cila u varros në fshatin e Naim Murselit) si dhe se familjes me të cilën kishin krushqi, i është dhënë dy ditë besë.
“Do ta zhvarrosim trupin e saj nga atje me dashje ose pa dashje…I kemi dhënë dy ditë kohë, edhe shumë e kanë”-ka thënë mbrëmjen e të premtes vëllai i 33 vjeçares.
Së fundmi në mediat e Kosovës ka patur një seri me detaje të reja, nga spekulimet mbi motivin e mundshëm të vrasjes, deri tek prononcimet e familjarëve të Liridonës. Në orët e fundit për Nacionalen, vëllai i Liridonës është shprehur se familja nuk e di ende se ku janë fëmijët e të motrës së ndjerë, e cila jetonte në Suedi dhe ishte shtetase suedeze.
Vëllai i Liridonës ka thënë se presin deri të hënën për zhvarrosjen e trupit të të motrës. Në lidhje me raportimet e hershme se çifti ishte në proces ndarje që prej 2019-tës, ai është shprehur se diçka e tillë është e pavërtetë
“Presim të hënën që me na kthy përgjigje për zhvarrim. Çifti nuk kanë pasur kurrë probleme dhe se nuk janë të vërteta ato që kanë dashtë me u shkurorëzuar. Jemi të tronditur se as vet se kemi besuar që ai e ka bo këtë send. Fëmijët nuk kemi informacion se ku janë, nuk e di çka ka mundur me qu deri aty. Motra jonë ka pasur siguri shumë të madhe se është shtetase e Suedisë.” – ka thënë ai.
Po sipas Nacionales e cila ka vizituar fshatin e familjes Murselaj, rezulton se tanimë familja është shpërngulur prej aty.
Një tjetër e dhënë e cila ka qarkulluar në media e rrjetet sociale, ka qenë raportimi se vrasja ka ardhur për shkak se Liridona kishte kryer një sigurim jete, që në rast fatkeqësie mbulonte deri në 20 milionë euro. Në media të ndryshme të Kosovës është vënë në dukje ky detaj, i cili do të mund të shpjegonte dhe motivin e kësaj ngjarje që më shumë i ngjan skenarëve të filmave.
Ndërkohë rrjetet sociale kanë “zier” në reagime e mijëra komente, veçanërisht kundër Naim Murselit, personit që pranoi se ka porositur vrasjen e nënës së fëmijëve të tij.
Nga videot ku duket Naim Murseli teksa u jep njerëzve dorën në varrimin e të shoqes, e deri tek fotot e tij me shumë personazhe VIP, komentet e qytetarëve kanë qenë të shumta kundër një akti kaq të rëndë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit në rrethinat e Prishtinës. Liridona ndodhej në makinë me të shoqin dhe dy fëmijët, kur një person i maskuar i cili është hequr si grabitës, i ka marrë sendet me vlerë çiftit dhe më pas ka qëlluar për vdekje Liridonën.
Pas hetimit të ngjarjes, policia doli në konkluzionin se autori kryesor i dyshuar, ishte vetë bashkëshorti i të ndjerës. Kjo për faktin se deklarimet e Murselit kanë qenë kontradiktore në mjaft raste e kanë ngritur dyshime. Madje, në një detaj tjetër domethënës për hetimin, ai i dëshmisë së fëmijëve të vegjël, të cilët kanë treguar i ati ishte mjaft i qetë dhe i kishte thënë atyre se gjithçka ishte vetëm një lojë. Në këto kushte dhe me dyshime të mjaftueshme, të premten policia prangosi Naim Murselin, bashkëfshatarin e tij dhe më tutje, nipin e Murselit.
Prokuroria nga ana tjetër ka kërkuar masë burgimi me afat 30 ditor për tre të ndaluarit.