Shkodra u trondit paraditen e kësaj të marte nga një krim i rëndë që ndodhi në lagjen “Mark Lula”. Në rrethana ende të paqarta, një 34 vjeçar i identifikuar si Kolë Manaj, ka qëlluar me armë zjarri në kokë bashkëjetuesen e tij, e identifikuar si Anila Prendushi.
Krimi ndodhi në makinën e 34 vjeçarit, i cili pasi ka qëlluar në drejtim të 44 vjeçares, ka vrarë veten. Kur policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka gjetur me shenja jete Anila Prendushin, e cila është dërguar me urgjencë në spital në gjendje kritike.
44 vjeçarja rezulton të jetë e divorcuar dhe nënë e tre fëmijëve. Ajo bashkëjetonte me Manajn prej afro 6 vitesh.
Ende nuk dihet shkaku i këtij krimi të rëndë. Hetuesit kanë nisur punën për të zbardhur ngjarjen.