“Detari ishte djalë i artë”  Miqtë flasin për vdekjen tragjike të shqiptarit në Itali

“Ishim kolegë pune dhe shokë në skuadër futbolli… ende nuk e besoj dot se Detari nuk është më”

Kështu thotë Simone Repetto, mik i 26 vjeçarit shqiptar që humbi jetën ditën e djeshme në Italinë fqinje, si pasojë e një aksidenti tragjik. 26 vjeçari luante me një skuadër futbolli (Sale) dhe u aksidentua në auostradën A21 në Piaçenca.

Shoku i tij i skuadrës dhe kolegu i punës, foli për median italiane duke thënë se e njihte prej vitesh shqiptarin e ndjerë.

“Përveç fushës së futbollit, Detarin e njihja prej kohësh, ishim kolegë pune në të njëjtën kompani. Mbrëmjen e të mërkurës e takova e mandej u ndamë për të përfunduar punët.”-tha i riu italian.

Detar Tali Muça u dërgua menjëherë me urgjencë drejt spitalit, por gjendja e tij shëndetësore paraqitej tepër e rëndë. Mjekët bënë çfarë mundën, e pak më vonë, 26 vjeçari ia dorëzoi shpirtin Krijuesit në spital.

Miku i të ndjerit, Simone Repetto, po udhëtonte në rrugën e tjetër të autostradës dhe kishte parë aksidentin, pa e ditur se makinën po e drejtonte Detari.

“Vura re se në korsinë tjetër kishte ndodhur një aksident i keq, pashë furgonin e dëmtuar së tepërmi. Kurrë nuk do ta kasha imagjinuar se në drejtim të tij ishte Detari… por më vonë mora vesh lajmin që s’do doja kurrë ta kisha dëgjuar. Detari ishte një djalë i artë, bëhej katërsh për të tjerët… do të na mungojë shumë”-thotë kolegu i shqiptarit.