“Dhunë psikologjike e kërcënime me jetë” Policia arreston bashkëshortin e 41 vjeçares që i dha fund jetës

E kishte kërcënuar për ta vrarë në sy të fëmijëve, kur ishte kthyer së fundmi nga puna sezonale në Greqi. E veç kërcënimit me jetë, vazhdimisht kishte ushtruar dhunë psikike ndaj saj.

Këto janë disa nga të dhënat e reja të zbuluara nga policia mbi vetëvrasjen tragjike të nënës së 4 fëmijëve në një fshat të Durrësit, çka ka bërë autoritetet të vënë në pranga bashkëshortin e 41 vjeçares, shtetasin Xhemal Loka.

E duket se tanimë dinamika e të gjithë ngjarjes që u lidh me denigrimin e bullizmet në ‘Tik Tok’, po merr një tjetër trajtë.

Njoftimi

Nga hetimet e thelluara rezultoi se 45-vjeçari ka dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme, bashkëshorten e tij.

45-vjeçari, kur ishte kthyer nga Greqia, e kishte kërcënuar për ta vrarë bashkëshorten, me mjet prerës thikë, në prezencë të njërit prej fëmijëve.

Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për zbardhjen e shkakut të konsumimit të lëndës helmuese nga 41-vjeçarja B. L., e cila më pas humbi jetën, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin Xh. L., 45 vjeç, i cili përkohësisht jetonte në Greqi, për shkak të punës.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi Xh. L., 45 vjeç, kishte dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij, shtetasen B. L.

Gjithashtu, nga hetimet e thelluara rezultoi se më datë 27.12.2023, shtetasi Xh. L. e ka kërcënuar bashkëshorten me mjet prerës (thikë), për të vrarë, në prezencë të njërit prej fëmijëve. Për këtë rast, shtetasja B. L. nuk ka bërë kallëzim në Polici.

Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë sekuestruar celularin e shtetasit XH. L., i cili e kishte fshehur atë, dhe nuk ka bashkëpunuar me Policinë.

Ky celular, bashkë me celularin e shtetases B. L., janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.

Po në vijim të veprimeve të thelluara janë kryer një sërë veprimesh të tjera procedurale me qëllim dokumentimin e plotë të shkakut që detyroi shtetasen B. L., të konsumonte lëndë helmuese.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet e thelluara me qëllim zbardhjen e plotë të shkakut që detyroi 41-vjeçaren të konsumonte lëndë helmuese, nga e cila për pasojë humbi jetën.

Gjithashtu, nga strukturat e specializuara për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryehen veprime hetimore intensive për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin/en e keqpërdorimit të të dhënave të shtetases B. L., në rrjetin social “Tik Tok”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.