Dibër: 58 vjeçari djeg disa barishteve, flakët dalin jashtë kontrollit dhe shkrumbojnë 2 ha tokë

Shërbimet e Policisë së Dibrës pas marrjes së njoftimit  se në fshatin Pollozhan, kishte rënë zjarr dhe zjarri po përhapej me shpejtësi,   menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes sëbashku me shërbimin zjarrfikës, të cilët vunë nën kontroll zjarrin dhe  bënë të mundur fikjen e tij.

Ndërkohë strukturat hetimore të Policisë së Dibrës, falë veprimeve të shpejta profesionale hetimore bazuar dhe në inteligjencën policore bënë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, 58 vjeçarin, banues në Dibër.

Nga veprimet hetimore rezultoi se  58-vjeçari, kishte  ndezur zjarr për të djegur disa barishte, në tokën e tij, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke  djegur një sipërfaqe toke prej 2 hektarësh, me barishte dhe shkurre.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.