“Dikur fëmijët e mi qanin, sot sytë e tyre shkëlqejnë falë jush” Rrëfimi prekës i nënës së 5 fëmijëve

Disa vite më parë, një grup banorësh nga fshati Fermë-Çlirim i Fierit iu drejtuan emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” me një thirrje për ndihmë, për një familje me 7 anëtarë që jetonin në kushte çnjerëzore.

Për të ushqyer fëmijët, kryefamiljari detyrohej të rrëmonte në koshat e plehrave. Mblidhte kanaçe e bidonë që më pas i shiste për të mbajtur gjallë frymën e fëmijëve të tij. Prej pak kohësh kishin ardhur në jetë dy vajzat binjake të familjes, dy ëngjëj të vegjël që erdhën pas një ëndrre që pa nëna e tyre.

Vite kanë kaluar nga ajo ngjarje, por shumëkush mundet të ketë në memorje rrëfimin e kësaj gruaje, e cila mes lotëve tregonte sesi i vëllai i ndjerë i kishte ardhur në ëndërr dhe i kishte kërkuar të mos e ndalonte shtatzaninë. Edhe pse në kushte tepër të rënda ekonomike, Erjona ‘dëgjoi’ të vëllanë dhe e vijoi shtatzaninë, ndërsa më vonë kuptoi se në jetë do të sillte jo një fëmijë, por dy… dy ëngjëj të vegjël.

E kështu jeta u bë edhe më e rëndë, ndërsa ëngjëjt e vegjël ushqeheshin me ujë e sheqer. Në ndihmë të babait, shkonin dhe djemtë e tij të vegjël të cilët po ashtu mblidhnin bidonë plastikë apo kanaçe.

“S’ka gjë më të keqe për një nënë, që të shikojë fëmijët me lotë në sy. Kanë qenë vërtetë të dhimbshme lotët e tyre. Tani që i kujtoj, nuk e di sesi kemi arritur t’i përballojmë.

Ata kanë qenë të vegjël, kanë patur dëshirat e tyre, kishin nevojë për të ngrënë e mundësitë tona ishin të pakta… neve na kishte kapluar varfëria. E kemi patur shumë të vështirë e nuk e mendoj sesi do të mund të kishim vazhduar, nëse nuk do të kishim patur ndihmën e Elvis Naçit.”-kujton Erjona në një rrëfim të saj në “Për Shqiptarët”.

Votet kanë kaluar, por Erjonës i kujtohet shumë mirë një moment që shënoi ditën e kthesës për familjen e saj.

“Komshinjtë tanë na kishin bërë të mundur, i kishin shkruajtur, i ishin drejtuar Elvis Naçit, për të ndihmuar fëmijët tanë, për t’i siguruar një të ardhme atyre. Ka qenë Elvisi ai që ia ka hequr thesin e plehrave djalit tim, e ai kurrë nuk e ka prekur më atë, që atë ditë.”-kujton Erjona.

Historia e familjes Çuko, ka qenë një ndër ato histori që kanë mbetur thellë në memorjen e shqiptarëve, thellë në zemrën e Fondacionit Firdeus. Sot kanë kaluar vite, e falë Zotit e bamirësve, jeta e familjes Çuko ka ndryshuar plotësisht.

“Qenë lotët e fëmijëve tanë që prekën zemrat e shqiptarëve, që bënë të mundur që jeta jonë u ndryshua. Pas gjithë atyre vuajtjeve, sot sytë e fëmijëve të mi shkëlqejnë e është ai shkëlqim është falë të gjithë atyre që kontribuan për ne, falë Elvisit.

Bashkëshorti nuk kishte më pse vuante, me duart e zhytura në plehra për të siguruar ushqimin e fëmijëve. Ne kurrë nuk do të kishim arritur të kishim shtëpinë që na dhanë shqiptarët. Shyqyr Zotit, sot fëmijët nuk i shikoj më me lotë, i shikoj si të barabartë me të gjithë fëmijët e tjerë. Kujtdo që ka dhuruar, i falenderoj nga zemra e uroj vetëm mbarësi.”-thotë nëna e 5 fëmijëve.