Dimër në Shqipëri: Dëborë e dendur, pemë e shtylla të shkulura dhe temperatura të ulëta

Që prej ditës së dielë, në të gjithë territorin e Shqipërisë ka ardhur një dimër i ftohtë, e në plot zona, i acartë.

Një pjesë e mirë e veriut dhe juglindjes, është përfshirë nga reshjet e dendura të borës. Në zonat më të thella, dëbora ka sjellë dhe bllokimin e disa fshatrave, probleme me energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë.

Në Shkodër: Vijon të ketë prezencë të borës zona e Qafë Thores e Thethit. Borëpastrueset kanë punuar gjatë gjithë natës, por në rrugë ka prani të ngricave. Kërkohet kujdes nga shoferët.

Në qytetin e Shkodrës vijon era e fortë dhe temperaturat e ulëta. Ka problematika me furnizimin me energji elektrike në Shalë, Guri i Zi dhe Pult. Po ashtu dhe në Vaun e Dejës, mungesa e energjisë ka prekur disa zona administrative.

Në Dibër: Reshjet e dëborës janë dobësuar gjatë orëve të mëngjesit. Thuajse të gjithë segmentet kryesore rrugore janë pastruar. Në Rrugën e Arbrit, disa segmente janë të bllokuar. Kalimi bëhet pa probleme nga Peshkopia deri në Fushë Bulqizë. Nga Fushë Bulqiza deri në Planin e Bardhë, vijon të ketë probleme për shkak të erës së fortë që depoziton dëborë në trupin e rrugës. Vijon kalimi në aksin e vjetër nga Klosi, Burreli dhe më pas në Milot. Bypass i Murrizit, vijon të jetë i bllokuar. Po punojnë disa borëpastruese me qëllim hapjen e bypassit. Trashësia e borës atje është rreth 60 centimetra.

Në Lezhë: Era e fortë ka nisur që prej të dielës. Janë rrëzuar disa pemë në qytet, të cilat kanë sjellë dëme në pronë private (makina e godina biznesi). Për shkak të erës, janë rrëzuar apo dëmtuar dhe shtyllat elektrike. Për pasojë, qindra familje në Lezhë kanë mbetur pa energji elektrike.

Në Mirditë dëbora ka arritur deri në 40 cm, duke sjellë bllokime të rrugës. Bashkia atje po punon për të hapur të gjitha rrugët.

Në Durrës: Ka njëfarë përmirësimi të situatës në portin e qytetit, ndryshe nga dita e dielë ku lundrimi u pezullua prej dallgëve të larta dhe erës. Këtë të hënë janë ndaluar veçse anijet e vogla dhe ato turistike. Dallgëzimi arrin deri në 6 ballë.

Në Fier: ka reshje të vazhdueshme shiu dhe stuhi me erë. Prej erës, ngjashëm si në Lezhë, edhe në Fier kanë rënë disa pemë dhe kanë mbetur pa energji elektrike disa fshatra. Problematika prej erës së fortë janë shfaqur dhe në taracat e disa godinave në qytet, ku kanë rënë depozita uji e të tjera objekte të rënda. Fatmirësisht asnjë person nuk është lënduar.

Në Korçë:  ka patur reshje të dendura dëbore, veçanërisht në zonat e thella malore. 13 persona mbetën të bllokuar gjatë natës në aksin rrugor Korçë- Ersekë, për shkak të dëborës.  Efektivë të policisë shkuan në fshatin Qafëzezë dhe ju dhanë ndihmë 11 shtetasve që udhëtonin me dy automjete, si dhe dy shtetasve që automjeti i tyre kishte mbetur tek 3 Urat e Leskovikut.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka përcjellë një njoftim në lidhje me rrugët ku qarkullimi është problematik

Akset rrugore

– Në qarkun e Dibrës rruga e “Arbrit” është e pakalueshme në Qafë Murriz, pasi ka reshje bore të dendura. Firmat kontraktore po punojnë për hapjen e këtij aksi.

– Në bashkinë Dibër janë bllokuar disa qendra administrative me akset kryesore si; Lurë, Selishtë, Luzni, Kala e Dodës dhe Zall Dardhë.

– Në bashkinë Bulqizë janë të bllokuara njësitë administrative Ostren, Trebisht.

– Në bashkinë Klos janë bllokuar rrugët dytësore të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Suç, Gurë dhe Xibër.

– Në bashkinë Mat janë bllokuar disa rrugë të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Macukull, Lis, Derjan dhe Komsi.
– Aksi rrugor Peshkopi-Ulëz, në vendi e quajtur Qafë Ulëz ka qenë e bllokuar për shkak të pranisë së dëborës, akullit dhe mjeteve që lëvizin pa goma dimërore. Ditën e sotme qarkullimi kryhet normalisht.

– Rrugët rurale që lidhin bashkinë Fushë-Arrëz me njësinë administrative Iballë dhe fshatrat e saj janë të bllokuara.
– Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, në vendin e quajtur kthesat e “Murrashit: ka patur prezencë inertesh në rrugë. Në Qafë Thanë pati reshje dëbore të cilat kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve të rënda. Gjatë natës dhe në orët e mëngjesit të ditës së sotme po vijon puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugës ne aksin Qafë Thane – Pogradec.

Qarkullimi kryhet me goma dimri.

– Në aksin rrugor Tiranë-Elbasan në dalje të tunelit, pati probleme me qarkullimin pasi terreni ishte shumë i lagësht dhe me ngrica. Qarkullimi u krye vetëm në një sens lëvizje. Gjatë natës dhe ditën e sotme është bërë shpërndarja e kripës dhe qarkullimi behet me goma dimri.

– Në bashkinë Krujë, aksi rrugor Cudhi Kamp-Qafështamë është i bllokuar nga reshjet e dëborës.

– Në aksin rrugor Vuno – Himarë, në vendin e quajtur ura e Vishës ka rënë një masiv shkëmbor. Rruga është e kalueshme në një sens lëvizje dhe po punohet për hapjen e krahut tjetër.

– Rruga për në Shëngjergj, bashkia Tiranë është e vështirë për tu kaluar nga sasia e reshjeve të dëborës.

– Në Lanabregas si pasojë e bllokimit të kolektorit ka patur prezencë të ujit duke rrezikuar përmbytjen e një banese.

– Në segmentin Fresku – Trau Dajt, në km 5 pati rrëshqitje të skarpatës duke bllokuar njërën prej korsive. Po punohet për pastrimin e rrugës.

– Në bashkinë Vlorë, situata është e qetë. Nuk ka prezencë uji në qytet.

Gjatë ditës së sotme po punohet me borëpastrueset për të mbajtur të hapura rrugët e qarkullueshme dhe për të hapur rrugët e bllokuara nga dëbora.

Ekipet e OSSHE janë duke punuarpër rikthimin sa më parë të energjisë elektrike në disa zona të thella.

Lumenjtë dhe rezervuarët

Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik, përveç se në fshatin Murqinë, njësia administrative Bubq, bashkia Krujë, ku lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke përmbytur një sipërfaqe prej 20 Ha tokë bujqësore.

Në Qafën e Murrizit (Rruga e Arbrit) u bllokua nga dëbora një automjet me 3 persona. Sot në orët e para të mëngjesit është nisur një automjet tip “Buldozer” dhe një autoambulancë. Ekipet e emergjencës po përpiqen të ndihmojnë qytetarët e bllokuar.

Parashikimi motit në vijim

Moti parashikohet me alternime vranësirash mesatare dhe të dendura, megjithatë nuk do të mungojnë intervale të herëpasherëshme afatshkurtra me kthjellime kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore. Reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit, dhe lokalisht shtrëngata afatshkurtra të izoluara deri në mesditë. Pas orëve të mesditës gradualisht ulje të intensitetit të reshjeve të shiut. Në relievet malore verilindje-lindje-jug në lartësitë mbi 400-600 metër reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar. Në mënyrë të izoluar, në periudha afatshkurtra në Alpe dhe relievet e larta malore reshjet e dëborës parashikohen në formën e stuhive të dëborës. Mjegull e dendur/mjegullinë për shkak të reshjeve të dëborës dhe shiut. Ngrica të forta përgjatë akseve rrugore, kryesisht në relievet malore.

Era do të fryjë me drejtim Verilindje-Lindje me shpejtësi mesatare 4-14 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi 16-26 m/s.

Temperaturat ekstreme, pritet të luhaten:

Në vendet malore: temperaturat minimale do të zbresin deri në -6°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në -2°C.
Në vendet e ulëta: temperaturat minimale do të zbresin deri në -2°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 7°C.
Në bregdet: temperaturat minimale do të zbresin deri në 4°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 7°C.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është duke ndjekur nga afër situatën në veri dhe Vlorë si dhe është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile për çdo situatë emergjente që mund të krijohet si pasojë e kushteve atmosferike.