“Disave u janë ofruar 1500 paund që të ikin” BBC me artikull për shqiptarët e deportuar, rrëfimet e disa prej të rinjve

“Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se shumica e qytetarëve të tyre të kthyer forcërisht në shtëpi nga Mbretëria e Bashkuar, ishin të dënuar për krime në Britani. BBC-ja ka folur me disa prej tyre që janë kthyer dhe ka mësuar se disa të burgosurve u ishte ofruar një shumë prej 1500 paundësh për t’u kthyer në Shqipëri”

Kështu shkruan këtë të mërkurë BBC-ja, e cila i ka kushtuar një artikull të zgjeruar problematikës së emigrimit të paligjshëm të shumë shtetasve shqiptarë drejt Britanisë. Deportimet janë rritur muajt e fundit, fill pas marrëveshjes së arritur mes qeverisë britanike dhe asaj shqiptarë në dhjetorin e vitit të kaluar. BBC-ja shkruan se për këtë vit, mbi 1 mijë shtetas shqiptarë janë riatdhesuar, gjysma e tyre në mënyrë vullnetare, ndërsa gjysma tjetër si një kombinim mes atyre që kanë dështuar të marrin azilin dhe personave me rekorde penale.

Gazetarja e BBC-së foli me disa prej shqiptarëve dhe “mësoi se shumica prej tyre vinin nga burgjet në Angli”.

“Shumë prej tyre u ishin ofruar para për të pranuar deportimin dhe ishin liruar nga burgjet para vuajtjes së dënimit minimal, sipas një skeme ekzistuese të përdorur për të huajt që kryejnë vepra penale”-thekson në artikullin e saj BBC-ja.

Një prej shqiptarëve që foli me gazetaren e BBC-së (foto më poshtë), tregoi se ai ishte dënuar për 6 vite nën akuzën e trafikut të drogës, por ishte liruar e mandej deportuar dy vite pas vuajtjes së dënimit, një vit para se të mund të përfitonte mundësinë për të marrë lirinë me kusht në Britani.

“30 vjeçari na kërkoi që t’ja fshihnin identitetin, kështu që ne po e thërrasim atë Mark.”-shpjegon në artikull gazetarja e BBC-së.

“Oficeri i emigrimit erdhi për të na parë. Na pyetën nëse do të donim të ktheheshim sërish në Shqipëri, apo të qëndronim në Britani.  Na shpjeguan se nëse do të vendosnim të ktheheshim, do të na hiqnin një vit nga dënimi”-tregoi “Marku”.

BBC-ja mandej vë në dukjse se “Markut” iu ofruan dhe 1500 paund si suport financiar për riatdhesimin e tij, para që dalin nga një program i quajtur “Skema e Rikthimit të Lehtësuar” (FRS).

“Një dokument i Britanisë qartësisht sqaron se kjo është një skemë për incentivë financiare, e ofruar për të burgosurit e huaj, me kushtin që ata të bashkëpunojnë dhe të heqin dorë nga e drejta e apelit”-thekson mandej në artikull BBC-ja.

“Ishte vendimi im për t’u kthyer mbrapsht. Askush nuk më detyroi. Ata ma ofruan mundësinë dhe më thanë, e vendos ti nëse do të ikësh apo të qëndrosh”-shpjegoi“Marku”, 30 vjeçar.

Por ka të tjerë që mendojnë ndryshe nga 30 vjeçari. Një tjetër shqiptar, po në kushte anonimati, tregoi rastin e tij për BBC-në.

“Po i mbledhin shqiptarët tani. Është shumë e vështirë për shqiptarët që të rrinë në Britani sepse policia të ndalon në rrugë. Nuk na duan tani.”-tha një tjetër shqiptar, për të cilin BBC-ja shpjegon se ai u ndalua në rrugë nga policia e mandje u zbulua se ai ishte duke qëndruar si emigrant i paligjshëm.

BBC-ja shton më tutje se shqiptari në fjalë, ka ndërmend të kthehet sërish në Britani, pavarësisht se u deportua vetëm muajin që kaloi.

Një tjetër shqiptar, me pseudonimin “Azem” foli për BBC-në. Në artikullin e saj, gazetarja e përshkruan të riun në të 20-tat si ‘të humbur në rrobat e tij’.

“Azemi (jo emri i tij i vërtetë), na tha se do të na tregonte historinë e tij në kushtet e anonimatit. Ai insistoi që ta takonim diku larg, atje ku ai nuk do të shihej nga askush. Në një shinë të harruar, jashtë Tiranës, Azemi nisi të flasë, me duart që i dridheshin.

Na tregoi dokumentet që tregonin për deportimin e tij dhe refuzimin e kërkesës për azil. Ai u kishte treguar oficerëve të emigracionit në Britani, që ishte arratisur nga Shqipëria pasi anëtarët e një bande i kishin vendosur pistoletën në kokë dhe e kishin kërcënuar për aktivitetin e tij politik.”-shkruhet në artikullin e BBC-së.

“Kam frikë sepse e njëjta mund të ndodhë sërish. Kam qëndruar i heshtur, jam i stretuar dhe trupi im dridhet, nuk fle as gjumë mirë”-tregoi “Azemi” për gazetaren e BBC-së.

Burimi: BBC/ Përshtati me shkurtime: FCH.al