Ditën e djeshme i biri i mori jetën të shoqes, ndërron jetë nëna e autorit të vrasjes në Pejë

Zyrafete Lajqi, nëna e Edmond Lajqit i cili ditën e djeshme vrau bashkëshorten e tij në Pejë, ka ndërruar jetë këtë të mërkurë.

Mediat e Kosovës raportojnë se nëna e autorit të krimit që tronditi mbarë vendin, ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spital. E moshuara vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ka humbur jetën pas krimit të rëndë që kreu i biri.

Këtë të mërkurë pritet që të dërgohet për në banesën e fundit Gjyljeta Ukella, nëna e tre fëmijëve e cila u vra nga i shoqi teksa pinte kafen e mëngjesit në banesë. Ende mbetet mister, se cili ishte motivi që e shtyu Lajqin të qëllonte me armë pas kokës të shoqen.

Siç treguan familjarë e të afërm, Edmond Lajqi ishte i papunë dhe vuante nga depresioni, ndërsa e shoqja bënte deri në tre punë për të mbajtur në këmbë familjen.