“Djalë i ri me tre fëmijë, e shoqja është rëndë” Flet vëllai i shqiptarit që u vra për një vend parkimi në Greqi

Im vëlla nuk na kishte treguar për këtë njeri. Nuk e dimë ende ekzaktësisht se çfarë ndodhi. Nuk e kuptoj se kush është ky njeri që bënte si ‘Rambo’. Im vëlla kishte punuar në atë parking për 5 vite. Ishte njeri i dashur për të gjithë komunitetin atje”

Këto janë fjalët e vëllait të 39 vjeçarit shqiptar, që mbeti i vdekur si pasojë e dy të shtënave me çifte, qëlluar nga një burrë në moshë, pas debatit për një vend parkimi në Pire (Greqi).

Media vendase atje ka intervistuar vëllanë e të ndjerit, i cili ndodhet ende në shok për humbjen e 39 vjeçarit, i cili ishte baba i tre fëmijëve.

Ngjarja e rëndë ndodhi të premten që lamë pas, fill pas një debati mes autorit dhe viktimës. Pas zënkës, autori shkoi në banesën e tij (aty pranë) dhe mori një çifte, me të cilën e qëlloi të riun shqiptar, i quajtur Brigen (Keli) Limka.

“Më vonë mësuam se vrasësi i vëllait, kishte bërë sherr me të gjithë lagjen. Çfarë mund të kërkojmë ne si familje? Një burrë i ri, me tre fëmijë, humbi jetën në atë mënyrë. E shoqja e tim vëllai është në gjendje tepër të rëndë. Ende presim që t’i bëjmë varrimin”-tha vëllai i të ndjerit, në një intervistë për Mega.

Media greke shton më tutje, se e gjithë ngjarja ndodhi brenda 9 sekondave. 68 vjeçari prej kohësh debatonte me të riun shqiptar për çështje të vendeve të parkimit. Po sipas medias greke, i moshuari ishte njeri problematik, pasi debate nuk kishte veçse me të ndjerin, por me plot banorë të tjerë të lagjes.

68 vjeçari e ka qëlluar njëherë të riun, i cili më tutje është rrëzuar përdhe. Pas të shtënës vdekjeprurëse, i moshuari është afruar dhe ka qëlluar sërish mbi 38 vjeçarin

Burimi: Protothema/ Përshtati me disa shkurtime: FCH.al