“Djali po shikonte tik tok-un” Flet xhaxhai i 15 vjeçarit që u plagos me thikë nga i ati në Maliq

Xhaxhai i 15 vjeçarit i cili mbeti i plagosur këtë të mërkurë (30 tetor) nga i ati, tregoi për median se sherri ka nisur për shkak se djali po shikonte tik-tok.

 “Sot më lajmëruan… çfarë t’i bëj unë i shkreti. Ata janë zënë për një punë telefoni. Shikonte tik tok djali dhe i ati ia mori dhe ia theu (telefonin). Djali është akoma në spital, nuk e di akoma se ku e ka plagosur, se është në spital akoma në Korçë. Vëllai ankohej për djalin, për punën e telefonit, nuk e di çfarë të them, ai i jepte para kur djali shkonte në shkollë…”-tha në një prononcim të shkurtër për median xhaxhai i adoleshentit.

Një prej fqinjëve ka folur po ashtu për median, duke thënë se babë e bir nuk kishin konflikte në dijeninë e saj dhe se djali mësonte në shkollë.

“Familje shumë e mirë edhe i ati edhe i biri, nuk di të kishin konflikte më parë. Ka vetëm një djalë, shkonte rregullisht në shkollë, mësonte. Mbrëmë i pashë të dy ishin shumë të qetë kur po ktheheshin në shtëpi. Djali e ndihmonte edhe në punët e bujqësisë”, deklaroi një prej fqinjëve të tyre.

“E ëma na tha kam djalin të sëmurë pa qef. Më pas na njoftoi policia për çfarë ka ndodhur”, shprehet një tjetër.