Një krim i rëndë ka ndodhur në një familje në Shënavlash të Durrësit, ndërsa këtë të mërkurë policia zbuloi sesi një 30 vjeçar i quajtur Esmerald Balla ka vrarë gjakftohëtisht të atin 62 vjeçar, Enver Balla.
Krimi monstruoz është mjaft i ngjashëm me atë të familjes Meta muaj më parë, e për koinçidencë, ka ndodhur po në të njëjtin vend, në Shënavlash të Durrësit.
62 vjeçari Enver Balla është gjetur 28 ditë pas vrasjes nga dora e të birit. I biri Esmeraldi e ka qëlluar për vdekje me pistoletë të atin në stanin e familjes, ndërsa më tutje e ka hedhur në pus.
Pas krimit, 30 vjeçari ka denoncuar në polici për zhdukjen e babait nga banesa. Në polici ai ka kallëzuar se i ati ishte larguar me një grua të panjohur, ndërsa më vonë ai u ka thënë oficerëve se kishte dyshime se ajo grua mund ta kishte vrarë babain e saj.
Djali tjetër i viktimës i quajtur Andi, pasi ka mësuar për “zhdukjen” e babait është kthyer nga Italia. Në instagram atij i ka shkuar një sms nga një grua që i thoshte se familjarët s’duhet të kërkonin më për babanë e tyre, pasi ai ishte larguar me pushime.
Autoritetet kanë mundur të zbardhin ngjarjen përmes një sërë përgjimesh të telefonave celularë dhe mesazheve, të cilat i kanë çuar në zbulimin e autorit të krimit.
Si motiv kryesor i ngjarjes, dyshohet të jetë një përplasje mes viktimës e autorit për një sasi të konsiderueshme parash. 62 vjeçari dyshonte se i biri i kishte vjedhur sasi të mëdha parash të cilat ai i ruante në një kasafortë.
Më 13 gusht, baba e bir janë përplasur fizikisht mes tyre, derisa Esmeraldi e ka vrarë babanë dhe e ka hedhur në një pus afro 1 kilometër larg banesës. Trupi i viktimës u gjend 28 ditë më vonë.