“Djalit i ishte djegur barku duke gatuar për të atin e verbër” Fqinjët e Blerimit kërkojnë ndihmën e shqiptarëve

Në fshatin Marshej ku Blerimi i verbër jeton i vetëm me të birin 8 vjeçar, të gjithë fqinjët kanë bërë çfarë kanë patur mundësi për ta ndihmuar.

Por sërish, në kushtet e vështira me të cilat përballet ky baba, me shtëpinë thuajse të rrënuar, mungesën e shikimit e së fundmi humbjen e të shoqes, jetesa është kthyer në një tatëpjetë që ai i vetëm s’do të mundet ta ngjisë dot kurrë.

Shumë prej fqinjëve, kërkojnë ndihmë nga shqiptarët bamirës për t’i ardhur në ndihmë Blerimit.

“Roman do të shkruhet për të, e familjen e tij. Një vuajtje e paparë. Një fukarallëk. Qe në fund e u ngrit, doli në majë, por kur erdhi fjala që i vdiq e shoqja ai (Blerimi) shkoi në fund të fundit. Ne si katund u pikëlluam të gjithë. Kam dy nipa, djali i tij vjen e luan me to. Një ditë e pashë me barkun e djegur. E pyeta po ti mo zemër, çfare ke kështu? Më tha jam djegur duke zier makaronat…domethënë, fëmija 8 vjeç, me zier makaronat për të atin.

Me kushtet që ka sot Blerimi, veç o Zot.. Zoti i dhashtë, me shtrëngu mend e kokës. I ka ra mbi supe, ka nevojë për një shtëpi. Jemi munduar ne me aq mundësi sa kemi, por Blerimi do shumë më shumë se është shumë prapa. Të gjithë shqiptarët me u mbledh bashkë, ata mund të bëjnë forcën. Vini dorën në zemër për ata dy jetima. “-thotë një zonjë, fqinja e Blerimit.

“Nuk ka çfarë bën, se ai nuk është i zoti për veten, e jo më për fëmijë. E ka shumë shumë të vështirë.”-thotë një fqinj i Blerimit.

“Djali i blen ushqimet. Ai është fëmijë i vogël. Për Zotin, tash nëse duhet bërë gjë për kënd në dritë të diellit, o për të o për kërkënd.”-rrëfen një tjetër.