“Djalit po ia mbajnë shpirtin me serume… më thotë o babi më shpëto, por unë nuk kam mundësi”

Prej mëse një viti, Ervini ka humbur vite nga jeta e tij. Është 33 vjeç dhe e dallon menjëherë në sytë e tij të vuajtur. Ky baba ka humbur vite të jetës, sepse djali i tij Luisi, është prekur nga një tumor cerebral, sëmundje që e torturon prej mëse 365 ditësh.

Ky baba ka bërë çmos për të gjetur mundësinë për t’i bërë kurimet dhe ndërhyrjet e nevojshme të birit. Luisi i ka bërë dy operacione, por jeta e tij është ende në rrezik. Ky baba ka sakrifikuar gjithçka, por sërish, nuk ka mundur dot të shpëtojë jetën e djalit.

“Djali mund të humbasë edhe jetën këtu, nuk ka asnjë lloj shprese. Ka bërë dy ndërhyrje këtu, por djali është shumë keq. Djali është shumë shumë keq, në fund fare, vetëm me serume mbahet… por a mbahet shpirti vetëm me serume.”-rrëfen  Ervini.

Kjo është barra që mban shpirti i tij, kraharori i tij, mendja e tij. I pafuqishëm, ai derdh lot dëshpërimi, por edhe këto lotë, ai e di mirë, nuk e shpëtojnë dot djalin. E kësisoj, ky baba, me zërin që i dridhet, po lutet mesa fuqi i kanë mbetur për ndihmë.

Donate Button

“Vetëm më thotë, babi më ndihmo, më shpëto. Po çfarë të bëj… kaq kisha mundësi. Djali duhet të niset urgjentisht. I bëj thirrje Elvis Naçit, shqiptarëve, të më ndihmojnë djalin, të shpëtojë djali.”-tregon Ervini.

E shoqja e tij Kristina, nëna e vogëlushit që ende nuk i ka mbushur 3 vjeç, qan me dënese. Përballet me atë që asnjë nënë nuk meriton të përballet.

“Prej një viti Luisi vuan nga tumori cerebral… (qan me dënesë) këtu, unë nuk e di… (qan). Kam shumë frikë se mos djali do të vdesë…”-thotë nëna e Luisit të vogël.

Luisi vogël është në gjendje të rëndë shëndetësore. Dhimbjet dhe vuajtjet e tij nuk kanë zë, pasi Luisi nuk e kupton dot se përse ndodhet në këtë gjendje, është ende një fëmijë… Ndërsa ata që e kuptojnë, nuk u mbetet veçse të dëgjojnë të pamundur, të pashpresë, klithmat e djalit të tyre.