U orvatën për 10 vite, që më në fund të quheshin nënë, baba. Vitin e kaluar Suada e Flori mësuan se ishin bekuar. Do të bëheshin nënë e baba i dy vajzave binjake. Daila dhe Dea erdhën në jetët e tyre, duke gëzuar çiftin që priste prej 1 dekade.
Por lumturia shumë shpejt ia la vendin dhimbjes. Dy muaj pas ardhjes në jetë të vajzave, burrë e grua ndodhen në spital. Njëra nga vajzat, Daila, është prekur nga një sëmundje në shpretkë, e cila nëse nuk kurohet në kohë, i rrezikon jetën foshnjes.
Nëna e vajzave i kalon orët në spital, duke u kujdesur për Dean dhe duke derdhur lot për Dailën. Me shpirtin e trazuar, ajo i flet të Dailës, mundohet ta ledhatojë me fjalë.
“Daila, zemra e mamit… do të bëhesh mirë o shpirt, do të behesh si motra dhe ti. Do të shkoni bashkë në kopësht. Do t’ju vesh mami të dyjave njëlloj. Do të jeni bashkë gjithmonë dorë për dore, do të riteni bashkë. Mami nuk të lë kurrë o shpirt”
Njëlloj dhe Flori, i cili merr në krahë të bijën, e cila nuk pushon dot lotët.
“Të ka zemër babi…do të shërohesh o zemra babit. Zemra ime do të rrish me motrën tënde ti? Do të shërohemi, me shpresën tek Allahu”
Burrë e grua nuk kanë mundësi financiare. Daila ka nevojë të kurohet jashtë shtetit, pasi në atdhe shpresat për shërim janë të pakta për Dailën e vogël. Burrë e grua luten për ndihmë, luten që drita e syve të tyre të mos shuhet.