Do t’i kryhet autopsia, zhvarroset trupi i 12-vjeçarit që humbi jetën në rrethana tragjike në QSUT

Ekipi i ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, shoqëruar nga prokurorë të Tiranës e familjarë të 12 vjeçarit Leo Sadiku, kanë zhvarrosur këtë të hënë trupin e pajetë të vogëlushit, i cili do t’i nënshtrohet autopsisë.

Ekspertët kanë marrë mostra në trupin e të riut për të kuptuar se cili ka qenë shkaku i vdekjes së tij, ndërsa familjarët kërkojnë drejtësi për të birin, pasi sipas tyre ai humbi jetën për shkak të neglizhencës në trajtimin mjekësor në spitalet e Korçës e Tiranës.

Leo humbi jetën në rrethana tragjike më 8 janar të këtij viti në QSUT. Në kushte të rënduara psikologjike, fillimisht familja refuzoi të kryejë autopsinë dhe vendosi të varrosë djalin.

12 vjeçari u shtrua në spitalin e Korçës me shenja gripi në fund të dhjetorit të vitit të kaluar dhe u largua prej aty më 31 dhjetor. Gjendja e tij u përkeqësuar në ditët e para të janarit, ndërsa më 7 janar ai u paraqit në spital me tension e glicemi të lartë, të vjella e temperaturë. Mjekët e Korçës e dërguan 12 vjeçarin për mjekim të specializuar në kryeqytet (7janar), por i mituri humbi jetën ditën e nesërme (8janar). QSUT tha se shkak i vdekjes ishte miokarditi akut. 

Tanimë do të jetë eskpertiza mjeko-ligjore ajo e cila do të hedhë dritë mbi shkakun e vdekjes së të ndjerit.