Prokuroria e Tiranës ka nisur për gjykim në gjykatë shtetasen Marjeta Karaj, të birin e saj Besmir Karaj dhe mikun e këtij të fundit Gazmir Ngota, si autorët e vrasjes së shtetasit Manduh Kurtdeda, në vitin 2017. E gjithë dinamika e ngjarjes dhe të akuzuarit u identifikuan vitin që lamë pas. Sipas organit të akuzës, Marjeta Karaj, e punësuar si sekretare në një OJF, ka patur mosmarrëveshje me Kurtdedën në lidhje me menaxhimin e fondeve të shoqatës.
Në vitin 2017, djali i Marjetës së bashku me mikun e tij, me kërkesë të gruas, kanë marrë të ndjerin në makinë dhe e kanë dërguar në Kodër Shupal. Atje e kanë lidhur dhe i kanë kërkuar të kthejë borxhin, që Marjeta Karaj pretendonte se i ndjeri i kishte. Viktima ka mohuar të ketë patur borxh, e kësisoj dy djemtë i kanë vënë flakën.
Trupi i dekompozuar i viktimës u zbulua më vonë nga një bari i zonës, ndërsa mandej organi i akuzës zbuloi identitetin e të ndjerit falë një analizës së ADN-së.
NJOFTIMI I PLOTË I PROKURORISË:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dërgon në gjyq të pandehurit, M. K., B. K., dhe G. N., të akuzuar për veprën penale “Vrasje me dashje” kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 76-25 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimit mbi procedimit penal nr.4682 të datës 21.06.2017, Prokuroria vlerësoi se personat e mësipërm në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer veprën penale “Vrasje me dashje’’ në dëm të viktimës M. K.
Më 16.05.2017 në vendin e quajtur Kodër Shupal, Zall-Bastar Tiranë u gjet një kufomë e seksit mashkull, i cili pas aktit të ekspertimit, u identifikua si shtetasi M.K.
Nga hetimet e prokurorisë, rezultoi se shtetasja M. K., e punësuar si sekretare në një OJF ka pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme me të ndjerin, në lidhje me financimin dhe menaxhimin e fondeve të shoqatës.
Në 2017 djali i saj, shtetasi B.K. dhe miku i tij, i pandehuri G.N., me kërkesë të shtetases M.K., kanë marrë të ndjerin në makinë dhe e kanë transportuar në Kodër Shupal. Aty e kanë lidhur dhe ushtruan presion për kthimin e një borxhi që e pandehura M.K., pretendonte se i ndjeri i kishte. Në momentin që viktima ka mohuar borxhin dy personat i kanë vënë flakën.
Shtetasi G.N., shfaqi pendesë dhe pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë duke rrëfyer ngjarjen.
Nga rrethanat dhe provat e administruara, gjatë fazës së hetimit paraprak rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit kanë konsumuar elementet e veprës penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 76-25.