“Donte të më fejonte me zor” Vajza në Durrës vret babanë, trupi gjendet 10 ditë pasi u varros në oborrin e shtëpisë

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në fshatin Shënavlash të Durrësit, ku autoritetet kanë gjetur trupin e pajetë e në proces dekompozimi të një 50 vjeçari të identifikuar si Pëllumb Meta.

Viktima është gjetur i varrosur në oborrin e shtëpisë së tij, ndërsa autore kryesore e dyshuar rezulton të jetë e bija e tij, Hygerta.

19 vjeçarja, studente në një fakultet të Tiranës, dyshohet se e ka vrarë me armë të atin në kasollen e lopës afro 10 ditë më parë, ndërsa më tutje e ka varrosur në oborrin e shtëpisë.

Policia është vënë në lëvizje fill pas denoncimit të njërit prej djemve të viktimës, i cili ka kallëzuar për zhdukjen e të atit.

Në dëshminë e saj para hetuesve, e reja ka pretenduar se krimin e ka kryer e vetme dhe se arsye ka qenë insistimi i të atit për ta fejuar kundër dëshirë së saj me një emigrant shqiptar në Itali.

 “Babain e vrava se donte të me martonte me dikë që unë as nuk e doja. Kishim pothuajse përditë konflikte dhe përplasje. Më tha qe kjo pune është vendosur, do fejohesh me atë që të them unë dhe pikë. Një ditë nisëm të debatonim prapë kur ishim në shtëpi. Nëna ishte në arë. Mora pistoletën dhe e qëllova. Më pas kisha frikë mos me fusnin në burg dhe mendova të fshihja trupin e babait. Pasi e varrosa në afërsi të banesës mendova se edhe policia e besoi se ai ishte zhdukur. Unë e kam kryer e vetme krimin, nuk më ka ndihmuar askush”,- ka thënë 19 vjeçarja.

Por pavarësisht dëshmisë së të resë, një seri me detaje e kanë çuar policinë të dyshojë se 19 vjeçarja ka patur bashkëpunëtorë. Hetuesit dyshojnë se 19 vjeçarja ka kapacitetet fizike për të lëvizur të atin, për të hapur një gropë mbi 1.5 metër e për të varrosur të ndjerin. Viktima u gjet i zhveshur, mbuluar me plastmas.

Hetuesit kanë marrë dëshmitë e familjarëve të tjerë, mes tyre dhe të bashkëshortes së të ndjerit. Gruaja e 50 vjeçarit ka deklaruar në polici se çdo gjë që ai thoshte, bëhej.

“Kemi 30 vite të martuar. Kemi 4 fëmijë. Burri ka qene autoritar gjithmonë. Çdo gjë që ai thoshte, bëhej, se përndryshe behej i dhunshëm.”– ka deklaruar gruaja.

Ndërkohë i gjithë komuniteti atje është tronditur nga ngjarja e rëndë. Një prej krushkëve të 50 vjeçarit të vrarë, foli për median. Ai tha se nuk i di arsyet e krimit, por se vajza “nuk mbyt dot një pulë e jo më një njeri”

“Nuk di asgjë. Absolutisht asnjë informacion. Pëllumbi ka qenë zotni burrë. Ka pasur një familje të mirë vetë ka qenë shumë i mirë. Ai punonte roje te Varrezat e Makinave.

Unë jam krushku, ka dy çuna dy vajza. Një nga vajzat e ka djali im. Ne e njohim për familje shumë të mirë. Nuk kemi pasur ansjëlloj dyshimi për konfliktet që ka në shtëpi. Për zhdukjen ka rreth 2 javë që na kanë thënë. U interesuam pyesnim nëse është gjetur. Më vonë kemi marrë vesh se është gjetur makina te Parku Rinia. Ndërsa sot na njoftuan se është gjetur.

Nuk dua të futem në këto çështje familjare. Ajo vajza nuk mbyt dot një pulë jo një njeri. Më gjatë se si e ka pranuar ajo nuk di si të them. Vajza shumë e mirë studente e respektuar. Nuk të shkon mendja fare që ta bëjë këtë veprim.

Nuk kam informacion se do fejohej. Nuk kemi asnjë lloj informacioni që vajza do të fejohej. Ka ndodhur ja kanë lënë vajzës ndoshta. Këto janë pyetje që nuk më takojnë. Nuk krijoj iluzione se me kë e ka bërë e di shteti.’- tha krushku i familjes.

Në lidhje me rastin, policia raportoi zyrtarisht se denoncimin për humbjen e babait e ka bërë një prej djemve të tij, 25 vjeçar, më datë 13 shkurt.

“Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi H. M., 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi P. M., 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të.

Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të shtetasit P. M., të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.

Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, shtetasja H. M., 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Shtetasja H. M. ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.

Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i shtetasit P. M. është zhvarrosur dhe është transortuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.”-thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.