I gjithë komuniteti në fshatin Pavojë të Peqinit u trondit nga vdekja tragjike e një fëmije 8 vjeçar, i cili u përplas nga një makinë që udhëtonte me shpejtësi në rrugë. Ngjarja e cila ndodhi disa ditë më parë, ka sjellë reagimin e komunitetit, i cili është mbledhur këtë të premte (8 nëntor) për të protestuar mbi vdekjen e vogëlushit.
Me pankarta në duar dhe mesazhe drejtuar autoriteteve, shumë qytetarë kanë ndaluar në vendin ku humbi jetën Enio vogël. 8 vjeçari sapo kishte dalë nga banesa dhe po shkonte të luante me shokët e tij, në momentin kur një makinë i mori jetën.
Në protestën e banorëve të zonës ishte dhe i pranishëm dhe babai i vogëlushit. Me zërin që i dridhej dhe me lot në sy, ai kërkoi që të vihet drejtësia në vend për vdekjen e djalit. Ai tha se kërkon që përgjegjësit të kalben në burg dhe se në rrugën në fjalë shoferët të respektojnë rregullat e qarkullimit e të ulin shpejtësinë.
“Dua që t’i shkojnë deri në fund (ngjarjes) çunit që e kanë vrarë, dua ndihmë nga shteti që ata që janë (përgjegjës), të kalben në burg. Unë dua të ketë rregull në këtë xhade, që të ulin shpejtësintë të gjithë, fatin e tij (djalit) mos e pësoftë askush… këtë dua unë.
Unë kam qenë në shtëpi. Djali kishte dalë të takonte shokët e vet për të luajtur. Ka ardhur këtu dhe një makinë i ka rënë nga prapa… nuk kam çfarë t’ju them tjetër”, tha me zërin që i dridhet babai i 8 vjeçarit të ndjerë.