“Jam bërë sterrë, nuk më rrihet as në shtëpi (qan). Kam mbushur me lot, nga Elbasani deri këtu (në Tiranë) vetëm qaj rrugës, natën e ditën.”
Këto janë fjalët e një babai që sot e prej 2 muajsh, sheh sesi i biri fiket dalëngadalë para syve të tij, ndërsa ai nuk ka se çfarë të bëjë.
Roeni i vogël, veçse 2 muajsh, ka një masë ujore në kokë (hidrocefali) e cila nëse nuk largohet në kohë, do t’i marrë jetën. I ati, Ermali, nuk ka mundësi ekonomike që ta shpëtojë të birin. E kjo peshë e rëndë po ia shtyp kraharorin, po i heq frymën dalëngadalë.
Teksa i lutet Zotit që të jetë ai në vendin e të birit, duart i dridhen pakontrolluar. Ai ndodhet poshtë dhomës së spitalit ku qëndron i biri 2 muajsh dhe lotët nuk i pushojnë.
“Kam muaj që torturohem poshtë e lart. Nuk ka gjë më të keqe. Zotit i jam lutur që të më fusë mua në vend të djalit, vetëm ai të mund të ikë në shtëpi… djali më kap gishtin dhe ma shtrëngon, (qan) vetëm se nuk ka gojë të më thotë jam sëmurë o ba…
Nuk e prisja këtë gjë… nuk kam arritur që ta marr njëherë në krahë që ta puth njëherë, ta kap njëherë në krahë që të kënaqem.
Po më qëndroi fëmija këtu, dihet që do të vdesë. E vetmja shpresë është ta çojmë në Itali. Shuma që kërkohet, unë nuk e kapërcej dot. Jam thjesht një punëtor. Ju lutem shumë më ndihmoni, të vënë dorën në zemër.”-thotë Ermali.