Durrës: Me fëmijët e mitur në banesë 40 vjeçari tmerron lagjen me të shtëna kallashi, ndërhyn RENEA

Të shtënat e kallashnikovit kanë zgjuar të tmerruar banorët në ‘Shkëmbin e Kavajës’ në Durrës, teksa forcat RENEA kanë ndërhyrë për të ndaluar një 40 vjeçar që veç të shtënave nga dritarja e banesës, mbante aty dhe dy fëmijët e tij të mitur.

Aleks Marku me origjinë nga Lezha kishte marrë me qira javore një apartament dhe aty ndodhej me fëmijët 6 e 11 vjeç. Në rrethana ende të paqarta, 40 vjeçari ka nisur të qëllojë me armë nga dritarja e banesës. Krismat kanë alarmuar banorët të cilët kanë njoftuar policinë. Për të ndihmuar focat vendore, në vendin e ngjarjes ka mbërritur dhe një njësi e forcave speciale RENEA.

Kanë qenë këta të fundit të cilët kanë kërkuar nga 40 vjeçari që të dorëzohet, ndërsa ai ka vijuar të qëllojë sërish me breshëri automatiku nga dritarja.

Pas disa orësh negociata, Marku është dorëzuar tek njësia e forcave RENEA, ndërsa fëmijët janë larguar nga banesa dhe ndodhen nën kujdesin e psikologut.

Në deklarimet e tij para hetuesve, 40 vjeçari ka thënë se ndihej i kërcënuar dhe se fëmijët i kishte marrë për t’i mbrojtur.

Paraprakisht dyshohet se 40 vjeçari mund të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Po hetohen të tjera elementë dhe pista për të zbardhur motivin e akteve të kundraligjshme të Markut, nëse ai ka patur konflikte apo probleme të shëndetit mendor.

Detajet pas arrestimit të 40 vjeçarit: Gruaja ka kërkuar urdhër mbrojtje, 40 vjeçari i akuzuar për vjedhje në Itali

Policia e Durrësit shpjegoi përmes një njoftimi të dytë lidhur me rastin, se 40 vjeçari akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Nga hetimet rezulton se bashkëshortja e Markut ka kërkuar në dy raste urdhër mbrojtje ndaj 40 vjeçarit, konkretisht në datat 14 dhjetor 2023 dhe 27 mars 2024. Pavarësisht këtyre referimeve të bëra nga policia e Lezhës në prokurori, 32 vjeçarja nuk është paraqitur në asnjë nga seancat gjyqësore për të përfituar urdhër mbrojtje.

Në vijim, lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, ju informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, kanë referuar në Prokurori, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e shtetasit Aleks Marku, shtetasen B. M., 32 vjeçe. Në asnjërën nga seancat, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë.

Gjithashtu, përsa i përket gjendjes penale të shtetasit Aleks Marku, ju informojmë se pas verifikimeve ka rezultuar se në Itali, ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.

Çfarë thonë banorët

Aleks Marku kishte disa ditë që kishte ardhur të qëndronte në apartamentin me qira në katin e parë të një objekti 8 katësh. 40 vjeçari nuk ka qëndruar gjatë gjithë kohës në zonë, ndërsa pas ikjes së fundit është rikthyer mbrëmjen e djeshme.

Banorë të zonës thanë se e kanë parë dhe të dehur, ndërsa fëmijët lëviznin nëpër zonë pa kujdes. Dy banorë të tjerë thanë se fëmijët kishin rreth një muaj që qëndronin në banesë.

 “Fëmijët kemi parë, kanë gati një muaj këtu, lër rroba këtu, lër rroba atje. Policinë nuk e kemi parë, fëmijët kemi parë, nuk dimë gjë ”, thanë dy banorët.

Një tjetër banor tregoi se familja jetonte në Itali dhe se shpesh herë vinte dhe bashkëshortja e 40 vjeçarit në zonë, nëna e dy fëmijëve.

“Me qira janë. Sillej mirë me banorët, nuk e di se si i kishte punët. Familje e rregullt ishin, ata jetojnë në Itali. Gruan e tij e quajnë Bardha, vinte dhe ajo këtu. Marrëdhënia ishte e mirë, silleshin mirë me banorët dhe njerëzit. Ka burrë mos të pijë alkool sot? Të gjithë pinë alkool. S’ma merrte mendja se do ndodhte kështu. Ka marrë dy hyrje, ishte i rregullt me pagesat. Këtu ka një muaj që jetonte”, tha banori në prononcim për Tch.