Dy raste të konfirmuara me Ethe të Nilit Perëndimor  në dy fshatra të Elbasanit

Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar dy raste të etheve të Nilit në dy fshatra të Elbasanit. Dy personat e prekur ndodhen përkatësisht në fshatin Bujqës dhe Jagodinë.

Dy të prekurit nga sëmundja e etheve të Nilit janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe tanimë të shëruar. Një prej tyre është 74 vjeçar, ndërsa tjetri 45 vjeç.

Pas zbulimit të rasteve, është bërë dezinfektimi i dy fshatrave.

Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen nga pickimi i mushkonjave të cilat bartin sëmundjen.

Simptomat

Periudha e inkubacionit për ethet e Nilit Perëndimor varion nga 2 deri në 15 ditë dhe në format më të lehta sëmundja zgjat nga 3 deri në 6 ditë.

Rreth 80% e rasteve të transmetuara te njerëzit nuk manifestojnë simptoma. Kur manifestohen simptomat ato janë shumë të ngjashme me gripin:

  • temperaturë e moderuar,
  • gjendje parehatie e përgjithshme
  • ulje të oreksit
  • të përziera,
  • dhembje koke,
  • dhembje sysh,
  • dhembje shpine,
  • dhembje muskujsh,
  • kollë
  • puçrra,
  • diarre
  • nyje imfatike të zmadhuara,
  • vështirësi në frymëmarrje.

Format më të rënda të sëmundjes, që kërkojnë trajtim të specializuar, karakterizohen nga simptoma më të rënda, si:

  • temperaturë e lartë,
  • encefalit
  • meningjit
  • dhembje të forta të kokës,
  • dobësi dhe paralizë të lehtë,
  • simptoma gastrointestinale,
  • çorientim,
  • të dridhura
  • konvulsione
  • puçrra në kurriz, qafë, krahë dhe këmbë,
  • ataksi (humbja progresive e koordinimit të muskujve),
  • koma.

Më pak se 1% e pacientëve të prekur paraqesin simptoma të rënda dhe / ose fatale.

Personat e infektuar dhe që kanë kaluar ethet e Nilit Perëndimor kanë fituar imunitet të përhershëm.

Trajtimi

Aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime specifike, zakonisht përdoren medikamente që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të sëmundjes.