Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e të hënës në Ferizaj të Kosovës, ku një burrë goditi me thikë 4 persona në rrugët e qytetit, mes tyre dhe dy vajza të mitura.
Naser Emini, anëtar i familjes ku po qëndronin mysafire vajzat që u goditën me thikë, tregoi për median se çfarë ndodhi.
“Kjo është hapësira që kemi ne vëllezërit. Jemi 5 vëllezër. Njëri nga ta ka pasur mysafirë që kanë qenë nga Podujeva. Ishte nëna me 5 fëmijë. Mirëpo dy prej fëmijëve, njëra 10 vjeçe, tjetra 15, të dyja vajza kanë dalë për shëtitje.
Në kthim, pikërisht në këtë vend janë goditur me thikë në kurriz. Ngjarja ka qenë shumë e rëndë. Lëndimet kanë qenë të rënda për të dyja.
Për 10-vjeçaren ka qenë në pikëpyetje mbijetesa e saj. Pas operacionit na thanë se iku rreziku për jetën, por gjendja është ende e rëndë.
I falenderoj qytetarët që kanë pasur një mirëkuptim në atë moment, sepse nga këtu deri te spitali është diku te një km. Kohën s’e kam matur, por e di që me një shpejtësi të jashtëzakonshme, kemi qenë dy vëllezër dhe nëna kemi shkuar drejt spitalit. Gjakderdhja ka qenë shumë e madhe. Në prehrin e vëllait gjaku rrjedhte. Ndërhyrja ka qenë shumë e shpejtë dhe veprimi i mjekëve ka qenë shumë i shpejtë”, tha Emini.
POLICIA ARRESTOI FILLIMISHT PERSONIN E GABUAR
Kujtojmë se një ditë pas ngjarjes, policia e Kosovës doli me njoftim se personi i arrestuar fillimisht si i dyshuari kryesor, është liruar pasi nuk ka patur të bëjë me plagosjen e katërfishtë. Policia njoftoi të martën se ka vënë në pranga një tjetër person, i cili është vetëdorëzuar në komisariat.
“Hetuesit rajonal kanë vazhduar punën e tyre në identifikimin edhe të personave tjerë të mundshëm, të përfshirë në këtë rast, për derisa me datën 12.11.2024 rreth orës 03:00 të mëngjesit një person tjetër me inicialet F. I ( M/K) i moshës 62 vjeçar nga Ferizaj është lajmëruar në polici, i cili është i dyshuar në rastin vrasjes së mbetur në tentativë në Ferizaj”, ka sqaruar policia