Në mediat në Kosovë po flitet gjerësisht gjatë minutave të fundit, për të tjerë anëtarë të grupit terrorist, të cilët janë vrarë në shkëmbimet e zjarrit me forcat e sigurisë së Kosovës.
Së fundmi Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës Nenad Rashiç, u deklarua se janë dy të vrarë, një i plagosur dhe një i arrestuar nga të paktën 30 personat, pjesë e grupit terrorist që i mori jetën oficerit kosovar Afrim Bunjaku.
Në mediat e Kosovës ndërkohë, flitet për të paktën 7 anëtarë të grupit terrorist që kanë humbur jetën. Policia e Kosovës deri më tani ka konfirmuar vetëm një viktimë.
Gjithashtu një foto ka qarkulluar në disa media e rrjetet sociale, ku duket trupi i pajetë i një prej agresorëve në territorin e Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se rreth orës 3:00 të mëngjesit në Banjskë, të paktën 30 persona të maskuar e armatosur rëndë hynë në ambientet pranë një manastiri. Oficeri i ndjerë Bunjaku shkoi në vendin e ngjarjes pas raportimeve se ishin vendosur bllokada dhe ndërroi jetë gjatë shkëmbimit të zjarrit. Po ashtu dy oficerë morën plagë, njëri mbeti i plagosur ndërsa një tjetër i lënduar.