E bija në intubim, babai në lot: Problemi u zbulua në muaj të 7… unë s’kam të drejtë ta heq dhuratën e Zotit

Prej 1 muaji e shikon të bijën të intubuar. Se çfarë i kanë parë sytë këtij babai, vështirë të përshkruhet me fjalë. Eduardi mbushet në lot e zëri i dridhet kur flet për të bijën, Solein e vogël. Ai tregon se mjekët konstatuan problemin e vogëlushes në muajin e shtatë të shtatzanisë…

 “Që në muajin e shtatë na kanë thënë që ka probleme, por ne vendosëm të mos e heqim… është dhuratë e Zotit, e unë s’kam të drejtë unë të heq një dhuratë të Zotit. Është një jetë, jo një lodër që unë ta kthej prap në dyqan…”-tregon Eduardi.

Ky baba ka qëndruar në spital pranë të bijës në çdo çast, duke shfrytëzuar çdo moment që i është dhënë për ta prekur, përkëdhelur e ndjerë të bijën.

“E dua shumë dhe po vuaj shumë…Unë e kam prit të bashkohet me ne, të jetojmë së bashku, t’i blej lodra. Kurrë nuk kam mundur t’ja qes dikujt një kafe se më ka lindur fëmija…”-thotë mes lotëve.

Solei vogël ka nevojë për kurim të specializuar jashtë shtetit. Vogëlushja është operuar që ditën e parë që lindi, por problemi me të cilin lindi ende nuk është zgjidhur, duke i sjellë foshnjes fryrje të mëdha të barkut e rrezikun për jetën. Solei mund të kurohet. Solei mund të rritet si të gjithë fëmijët e tjerë, por familja nga Shkodra nuk i ka mundësitë…