E dërguan në spital dhe u larguan, tjetër viktimë në një kantier ndërtimi në Shëngjin: Humb jetën 50 vjeçari

Një punëtor 50 vjeçar ka humbur jetën në vendin e punës. Burri është dërguar me një makinë private në spital, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.

Viktima është identifikuar si 50 vjeçari Preng Gjoni, ndërsa personat që dërguan në spital të ndjerin janë larguar dhe zhdukur.

Policia ka zbuluar se Gjoni punonte në një kantier ndërtimi në Shëngjin, aty ku dyshohet se ka humbur jetën pasi është goditur nga një dërrasë në kokë.

Rreth orës 13:30, gjatë punës në një objekt në ndërtim, shtetasit P. Gj., 50 vjeç, dyshohet se i ka rënë një dërrasë druri mbi kokë dhe për pasojë ai ka humbur jetën në spital. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti.

Ndërkohë janë shoqëruar në ambientet e Policisë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dy shtetas që ishin duke punuar në objektin ku humbi jetën 50 vjeçari.’, thuhet në njoftimin paraprak të policisë.

Vdekja e 50 vjeçarit vjen tre ditë pasi një tjetër punëtor 28 vjeçar humbi jetën në një tjetër kantier ndërtimi.