E dorëzon tek dy djemtë e oficerit, Presidentja Osmani dekoron Bunjakun me urdhrin “Hero i Kosovës”

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka akorduar urdhrin (pas vdekjes) “Hero i Kosovës” oficerit të ndjerë Afrim Bunjaku, ndërsa kjo e hënë është shpallur ditë zie në kujtim të tij.

Gjatë mbledhjes komemorative në nderim të rreshterit Bunjaku, Osmani e ka dorëzuar urdhrin ‘Hero i Kosovës’ tek dy djemtë e oficerit të ndjerë.

 “Jemi mbledhur në këtë ceremoni mortore për t’ia dhënë lamtumirën e fundit, policit tonë rreshterit Afrim Bunjaku i cili deri dje ishte gardian i sigurisë ndërkaq prej sot është hero i Kosovës.

Ai ra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, ra në mbrjotje dinjitetit, prandaj sot në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës  do t’i ndaj postmortem urdhin më të lartë të Republikës, urdhrin “Hero i Kosovës”.

Shteti ynë nga sot ka edhe një hero, ka një kujtim me shumë për një njeri me profesionalizëm dhe përkushtim iu dedikua mbrojtjes së republikës për të cilën ra në krye të detyrës, sot po nderojmë një rreshter trim dhe vetmohues që sakrifikoi jetën për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë.”-tha Osmani.