E gjejnë fqinjët të gjakosur, misteri i plagosjes së të moshuarit në Korçë, 81 vjeçari në gjendje kritike

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e të enjtes në Korçë, atje ku një i moshuar 81 vjeçar është gjetur i gjakosur në shtëpinë e tij, në gjendje të rëndë shëndetësore.

81 vjeçari i quajtur Gaqo Tili është gjetur me plagë të rënda në kokë nga fqinjët, të cilët kanë parë derën e shtëpisë së tij të hapur dhe të moshuarin e shtrirë në tokë, të mbuluar në gjak.

“Pas orës 7 vjen fqinja me shumë shpejtësi dhe thotë hajde se ka vdekur Gaqua. Dera ishte hapur dhe ai ishte i tëri shtrirë dhe i mbuluar me gjak, lajmëruam ambulancën, hymë brenda në banesë dhe pamë që ishte mbuluar me gjak dhe shtëpia ishte shumë rrëmujë dhe me gjak nga të gjitha anët. Viktima rënkonte dhe jepte përgjigje të pakuptueshme. Morëm spitalin dhe policinë, kjo e fundit erdhi në moment.
Nuk shoqërohej me njeri vetëm me të pallatit. Këtu nuk ka asnjë të afërm vetëm motrën e moshuar. Nuk kam ditur gjë për probleme të tij, vetëm di që është rëndë në spital
”- deklaroi njëra prej komshijeve të tij”-tha një e moshuar, fqinje me 81 vjeçarin.

Mbetet ende e paqartë nëse 81 vjeçari ka rënë pre e ndonjë grabitje apo është konfliktuar me një të njohur. Gjasat duken se autori i plagosjes së rëndë të të moshuarit, mund të jetë një i njohur, pasi në vendin e ngjarjes nuk ka shenja të hyrjes në banesë me dhunë.

Nga ana tjetër, në një pjesë të pallatit janë dalluar shenja të gjakut, çka ka bërë autoritetet të dyshojnë se autori mund të jetë lënduar gjithashtu. Në banesën e të moshuarit janë gjetur po ashtu pije alkoolike në tavolinë, duke shtuar më tutje dyshimet se autori dhe viktima mund të kenë qenë të njohur dhe situata ka përshkallëzuar.

Aktualisht i moshuari ndodhet në spital, në gjendje kritike.

 “Më datë 08.02.2024, rreth orës 07:05, spitali i Korçës ka njoftuar sallën operative të DVP Korçë se ka shkuar për ndihmë mjekësore shtetasi G. T., rreth 81 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Korçë. Menjëherë në banesën e 81-vjeçarit ka shkuar grupi hetimor, i cili ka konstatuar se as dera e banesës dhe as dritaret e saj, nuk janë të dëmtuara. Nga këqyrja e banesës, si dhe nga sendet dhe provat e gjetura dyshohet se 81-vjeçari mund të jetë konfliktuar me ndonjë shtetas që e ka patur në banesë. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të dëmtimit të shtetasit dhe identifikimin e autorit të dyshuar pjesëmarrës në banesën e të dëmtuarit.Për këtë ngjarje pas sqarimit të të gjitha rrethanave të mekanizmit dhe motiveve do të kemi një njoftim të plotë“, tha policia.