E gjithë Shqipëria pa drita për mëse 30 minuta, ‘black out’ dhe në Mal të Zi, Bosnje e Kroaci

Këtë të premte në mesditë një sërë qytetesh të vendit, përfshi këtu Tiranën, mbetën pa drita. Për mëse 30 minuta, në territorin e vendit ka qenë një ‘black out’ thuajse total.

Në vend raportime për ikjen e dritave ka patur veç Tiranës, në Durrës, Lezhë, Shkodër, Elbasan, Kukës, Sarandë, Korçë etj.

REAGIMI I institucioneve shqiptare

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka reaguar në lidhje me situatën duke sqaruar se një defekt në linjën e interkoneksionit me Greqinë dhe temperaturat e larta, kanë sjellë një efekt kaskadë në të gjithë vendin.

“Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin. Është identifikuar defekt edhe në linjën e Prizrenit.

Nga kqyrja fillestare rezulton se volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ektreme kane qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit.

OST po merr masa për rikthimin e energjisë elektrike te të gjithë konsumatorëve.”-njoftoi OST.

“Black out” në disa shtete

Probleme me furnizimin me energji elektrike janë raportuar deri në Kroaci, Bosnje e Mal të Zi. Mediat respektive në këto shtete kanë raportuar për probleme me energjinë në disa prej qyteteve të tyre.

Media malazeze njoftoi se një zjarr kishte rënë në një linjë elektrike dhe se qytetet kryesore mbetën pa drita. Për mëse 40 minuta nuk ka patur energji në qytete si Budva, Bar, Risno, Podgorica, etj.

Njëlloj dhe mediat në Kroaci raportuan për një “black-out” në shumicën e qyteteve të tyre. Spliti, Omishi, Makarska, Dubrovniku, Zhupa Dubrovaçka, Kashtela, Solin, Vodice, Prvic, Zadar, Starigrad Paklenica si dhe ishuj të shumtë kanë mbetur pa energji elektrike, raportoi Index.hr.