“E godita me vizore se nuk bindej…” Zbardhet dëshmia e edukatores që dhunoi 3 vjeçaren në kopshtin privat

Në polici ka deklaruar se vajzën 3 vjeçe e goditi me vizore jo për ta dëmtuar, por pasi ajo nuk po bindej që të merrte pjesë në mësim.

Kjo është një copëz e dëshmisë që edukatorja Majlinda Dehima ka rrëfyer para oficerëve të policisë, fill pas ndalimit e shoqërimit të saj, në një prej ngjarjeve më dramatike që ka tronditur opinionin publik në kryeqytet.

Vajza 3 vjeçe rezulton se ka thyer njërën këmbë në kopshtin privat në fjalë, në zonën e ‘Ali Demit’ në kryeqytet. Edukatorja mohon të jetë e përfshirë në këtë pikë. Më tutje në dëshminë e saj, edukatorja ka thënë se vogëlushja është shtrirë për të fjetur. Pas gjumit të drekës, rreth orës 15:00, edukatorja thotë se ka parë këmbën e enjtur të 3 vjeçares e prej aty ka vënë në dijeni drejtoreshën e kopshtit. Kur ajo është pyetur se përse e qëllonte vajzën, edukatorja ka thënë ‘që të kishte vëmendjen, sepse qante’.

Gruaja është nën hetim për kryerjen e vepres penale ‘keqtrajtimi i të miturve’. Po këtë të martë, autoritetet bënë me dije se kopshti privat në fjalë, rezultonte të ishte i palicensuar. Më tutje, Ministria e Brendshme njoftoi se ka pezulluar tre punonjës të policisë në komisariatin nr.1, pasi sipas denoncimit të prindërve të 3 vjeçares, oficerët kanë tentuar të fshehin e zbusin ngjarjen. Vetë Ministria e Brendshme njofton se disa prej procedurave nuk ishin kryer konform ligjit.

Ministria e Brendshme dënon me forcë veprimet e dhunshme ndaj fëmijëve dhe i ka kërkuar Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së raportuar në Tiranë, për të marrë masa të menjëhershme dhe të rreptë ndaj përgjegjësve.
Siç është raportuar në emisionin investigativ “STOP” mbi ngjarjen e ndodhur në një kopsht privat, rast për të cilin familjarët e fëmijës së dëmtuar akuzojnë strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, se nuk kanë kryer veprimet e duhura ligjore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar menjëherë Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit administrativ, me qëllim verifikimin e procedurave standarde të kryera nga punonjësit e Policisë.

Nga verifikimet paraprake të kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ka rezultuar se strukturat hetimore kanë kryer veprime procedurale dhe materialet i kanë referuar në Prokurori për vlerësim brenda afatit që përcakton ligji, por është konstatuar se veprimet nuk janë kryer të plota pasi nuk ishte bërë këqyrja e pamjeve filmike të kamerave që ndodhen në ambientet e kopshtit.
Këqyrja e pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e kopshtit është bërë pas transmetimit të rastit, në emisionin investigativ “STOP”, dhe materialet shtesë janë dërguar në Prokurori, më datë 06.11.2023.
Njëkohësisht ka nisur procedimi në gjendje të lirë, pas konsultimit me prokurorin, për shtetasen M. D., me detyrë kujdestare në këtë kopsht, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturve”.
Në përfundim të verifikimeve të kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, parashikuar nga neni 209 i Rregullores së Policisë së Shtetit “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të Policisë” dhe u bë pezullimi nga detyra, për punonjësit e Policisë:

Komisar R. D., me detyrë zv/shef i Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë;
Nënkomisar Y. Ç., me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1;
Nënkomisar E. B., me detyrë specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit falënderon stafin e emisionit investigativ “STOP” për bashkëpunimin dhe për denoncimin e rasteve të paligjshmërisë. Policia e Shtetit fton mediat dhe qytetarët që të denoncojnë rastet e abuzimit të punonjësve të Policisë me detyrën, duke iu garantuar reagim të ashpër ndaj tyre, sepse për Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme është shumë i rëndësishëm procesi i vetëpastrimit nga radhët e Policisë, i punonjësve që abuzojnë me detyrën dhe me ligjin.