“E harroi çdokush, përveçse të Madhit Zot” Historia e Profetit Jusuf

Në emisionin e radhës në Histori Profetike në Kur’an, vijojmë me rrëfimin e historisë më të bukur në botë, jetën e Profetit Jusuf alejhi selam.

Profeti Jusuf burgoset padrejtësisht, për një  vepër/krim që ai nuk e kishte bërë. Pavarësisht padrejtësisë, Jusufi tregon edhe njëherë se përse ai ishte një Pejgamber i madh.

Elvisi vijon duke rrëfyer historinë e tij.

Elvisi: Ata e panë të arsyeshme, për ta hequr nga vëmendja dhe me takt… ta spostonin nga skena. E ku ‘spostohesh’ nga skena? E çojnë në burg. Jusufi hyri aty padrejtësisht…

E tani lind pyetja? Si mund të shkojë një Profet në burg? Sepse ka një urtësi. Zoti i ka sprovuar Pejgamberët në të gjitha llojet e sprovave, për të përfituar të gjithë besimtarët deri në Kijamet. Në çastin që Jusufi hyn e del nga burgu, quhet shkolla e burgut e Jusufit, për të gjithë ata që mund të jenë dënuar padrejtësisht.

Çfarë bën një njeri i mirë në burg? Ai nuk ndryshon, kudo që ta çosh. Ka dy lloje njerëzish. Ka tjetër që ankohen se shkuan në burg padrejtësisht, i drejtohen Zotit, pse lejoi të shkojnë në burg, thonë o ‘Zot pse mua më gjete”. Pra ankohen, bëhen të vegjël kësisoj.

Jusufi alejhi selam, nuk e bëri këtë. Jo vetëm që nuk u ankua, por dy gjëra që nxirren në Kur’anin famëlartë e nxjerrin në pah. Një që shokët e burgut i thonin ‘të shohim nga punëmirët’ dhe e dyta… kush sëmurej atje, Jusufi nuk flinte gjithë natën pasi kujdesej për ta.

Nëse dikush kishte uri më shumë, ai ndante ushqimin, i jepte njërën gjysëm të tij. Nëse dikush zihej, ai ishte mes tyre gjithmonë.

Ka një ajet tjetër ku thuhet… “Jusuf, o ti njeri shumë i sinqertë.”

Dy nga shokët e burgut, shohin gjithsecili nga ta një ëndërr. Dihej që Jusufi kishte një dhunti. Zoti i Madh i dha dhuntinë për të kuptuar ëndrrat. Ata e pyesin, gjithsecili, për ëndrrat që kishin parë. Jusufi nuk i përgjigjet direkt.

Ata kishin interes vetëm për ëndrrat. Jusufi i tregon fillimisht, jam dërguar si Pejgamber, unë këtë dhunti nuk e kam prej vetes, por prej Zotit të Madhëruar.

Të dy këta personat akuzoheshin se i kishin hedhur helm mbretit në pije. Për t’u treguar i kujdesshëm, Jusufi u tha… “Njëri prej jush, do të dënohet me vdekje, ndërsa tjetri në postin që ka patur (që shërben verën).”

Pasdite, vjen urdhri i mbretit. Ishte vërtetuar kush e kishte hedhur helmin. Njëri u dënua me vdekje dhe tjetri, u rikthye në detyrë… njëlloj siç kishte thënë Jusufi.

Jusufi, këtij që shpëtoi e do të kthehej tek mbreti i tha… “kur të kesh mundësi, thuaji mbretit që jam dënuar padrejtësisht. Ai iu përgjigj… “sa të krijohet mundësia, sa të shkoj, unë do t’ja them”.

Personi në fjalë shkoi në postin që kishte, rinisi jetën dhe qejfet e veta… çdo gjë e kujtoi, përveç Jusufit.

ËNDRRA E MBRETIT TË EGJIPTIT

Në këtë moment të rrëfimit, Elvisi shpjegon sesi çdo njeri i kësaj bote e braktisi Jusufin… por besimi i tij i palëkundur në Zot e nxorri në dritë Profetin.

Elvisi: Po ta shikosh me vëmendje, shiko çfarë panorame ka Jusufi. Babai i tij i pikëlluar, fëmijët që i thonin Jusufi vdiq. Ai nuk e besonte këtë, por Jusufin nuk e shihte më, nuk e kishte afër vetes. E dyta, vëllezërit të kënaqur shumë që nuk e kishin rreth vetes.  Zulejhaja e kishte burgosur, sa të afrohen femra tjera, më mirë të jetë në burg. Shoku i burgut me të cilin Jusufi ishte sjellë mirë dhe i kishte komentuar ëndrrën… kaluan kohë, ai nuk e kujtoi fare.

Pra e harroi çdokush. Por ai nuk kishte problem, Ai kishte Zotin e Madhëruar. Krijuesi nuk e kishte harruar.

Mbreti i Egjiptit shikonte për tre netë resht, të njëjtën ëndërr. Dilnin shtatë lopë të majme në një vend, të cilat më pas zhdukeshin e më pas dilnin 7 lopë të dobëta. Pasi mbaronte kjo skenë, në ëndërr i dilnin shtatë kallinj të gjelbër… më pas ata zhdukeshin dhe dilnin shtatë kallinj bosh, të pavlerë. I thirri të gjithë dijetarët atje dhe nuk kishin asnjë konkluzion.

Ai person që doli nga burgu e kujtoi tanimë Jusufin. Nuk e kujtoi për të, por për veten. Se njeriu i mirë të kujton në ditë të mirë. Ai iu afrua dhe i bashkëshortes së mbretit, a ka mundësi t’i thoni mbretit që unë di ta zgjidh këtë problem?

Mbreti e thërret, e pyet. Shërbëtori shkon në burg dhe i thotë… “Jusuf, o ti i Sinqerti”.

Kam një pyetje-i tha shërbëtori Jusufit. ‘Fol’-i tha Jusufi.

Ai i tregoi ëndrrën e mbretit. Për Jusufin kjo ishte ‘klasa e parë’. Jusufi i tha:

“Thuaji mbretit. 7 lopët e majme dhe 7 kallinjtë e gjelbër, janë 7 vite të begata. Pas kësaj, do të prehet si me thikë, do të prehet rënia e shiut nga qielli dhe toka nuk do të nxjerrë më gjë prej saj. 7 lopët e 7 kallinjtë bosh, janë 7 vite ku njerëzit do të sprovohen. Pas kësaj, do të vijë një vit i begatë, në të cilin njerëzit do të lumturohen dhe lehtësohen”

Jusufi alejhi selam shtoi…”7 vitet e begata, populli të ushqehet me maturi dhe kallinjtë të ruhen e magazinohen, që në 7 vitet e ardhshme të ketë begati.”

Pra, e komentoi, e zgjeroi dhe i dha zgjidhjen.

Mbreti as nuk e dinte historinë e Jusufit. Kur dëgjoi shpjegimin, u qetësua. Pasi mësoi dhe zgjidhjen, aty u lehtësua. Kërkoi të takohet me Jusufin, njeriun që shpjegoi dhe dha zgjidhjen. Shërbëtori sërish, shkoi dhe i tha Jusufit, të kërkon mbreti, të lirohesh nga burgu.

Jusufi i tha… “Jo. Nuk dal nga burgu. Unë nuk dal nga burgu sepse shpjegova ëndrrën, por sepse jam i pafajshëm”.

Pra shikojeni vëllezër dhe motra, sesi kthehet e drejta. Mbreti mbledh Zulejhanë, gratë e tjera të ministrave dhe bën gjyqin. Zulejhaja e pranon, tregon se ajo e bëri veprimin e pamoralshëm. Tani çfarë ndodhi?

Në sytë e mbretit, doli në pah personaliteti i Jusufit. Nuk qenka vetëm komentues i ëndrrave, nuk qenka vetëm mendimtar, nuk qenka vetëm ai që jep zgjidhje, por qenka një njeri besnik dhe i moralshëm. Pas gjyqit, mbreti thotë

“Ma sillni ta veçoj” Kështu thuhet në Kur’anin Famëlartë. Jusufi Alejhi Selam dinte 8 gjuhë të huaja. Vetë mbreti dine 7. Mbreti e thërret në audiencën e tij, pa e ditur sesa i bukur është ai.

Tregohet në tefsiret e Kur’anit, se Jusufi tek dera, filloi të kishte emocion. Pastaj, për çastin tha…”unë emocion për një krijesë si puna ime? Unë dhe ai do të vdesim, kurse unë besoj, jam Pejgamberi i të Plotfuqishmit” dhe aty hyri, mori forcë dhe u përball me mbretin.

Kur mbreti ballafaqohet me të, mbreti e ka marrë vetë tek dera dhe e ka folur në vendin më të afërt. Kanë biseduar. Kanë folur për diturinë. Folën në gjuhë të ndryshme, derisa Jusufi foli në gjuhën e tetë, atë që mbreti nuk e dinte.

Mbreti i tha Jusufit, “O Jusuf, në jetën time nuk kam njohur njeri të tillë. Kërko çfarë të duash, do ta jap”

Pas 7 vitesh, e gjithë bota do të qëndronte pa ushqim atje. 

I tha mbretit. “Më bëj mua, drejtuesin e të gjithë shtetit për depot e ushqimit”

Mbreti ka hequr nga gishti i tij një unazë mbretërore dhe ia ka vënë në dorë Jusufit.

“Pas sotit e në vijim, fjala e Jusufit është fjala ime. Sot Egjipti ka një sundues të ri, përsa i përket menaxhimit të ushqimit, Jusufin.”

Thotë Kur’ani Famëlartë… “Kështu i dhamë ne Jusufit mundësi të mëdha në Tokë. Ne e nderojmë, e begatojmë, e fisnikërojmë, i japim vlerë, atij që dëshirojmë ne. Me të vërtetë kush është i devotshëm, dhe duron, ne s’ja humbim punën njerëzve të mirë”.