E mori rrjedha e ujit në kanionet e Osumit, gjendet pas disa ditësh kërkime trupi i turistit të huaj

Pas mëse tre ditësh kërkime, është gjetur trupi i pajetë i turistit holandez, i cili së bashku me të shoqen po eksploronin kanionet e Osumit. I ndjeri Jules Schurmmans, 68 vjeçar, u mor nga rrjedha e ujit dhe nuk arriti dot të dalë. E shoqja e viktimës, Helena, mundi të shpëtojë.

Njoftimi i policisë

Kërkimet e pandërprera nga polumbarët e RENEA-s, të ndihmuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, bëjnë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të shtetasit holandez, i cili u mbyt në ujë, teksa notonte në kanionet e lumit Osum.

Më datë 08.05.2023, shkoi në spitalin e Çorovodës, për ndihmë mjekësore, shtetasja holandeze H. (V. A.) C. S., 64 vjeçe, e cila deklaroi se së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin J. A. S., 68 vjeç, ishin futur për të notuar në kanionet e lumit Osum. 64-vjeçarja kishte mundur të dalë nga uji, ndërsa shprehej se bashkëshortin e saj e kishte marrë rrjedha e ujit. Menjëherë pas njoftimit, është organizuar puna nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar dhe polumbarët e Repartit Special “RENEA”, me qëllim gjetjen e shtetasit J. A. S.

Pas 3 ditësh kërkime të pandërprera në rrjedhën e lumit Osum, ekipi i specializuar i polumbarëve të RENEA-s kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të 68-vjeçarit, në njërin nga kanionet e këtij lumi. Në kërkime u angazhuan edhe 2 pjesëtarë të federatës “Albania Rafting Group”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Njoftimi i Federates Shqiptare te Rafting:

Sot ne daten 11 Maj u gjend trupi pa jetë i shtetasit holandez Jules Schurmmans nga Skuadra e Federates Shqiptare të rafting dhe Albania Rafting Group në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA dhe Policinë e Shtetit. I shprehim ngushëllimet tona familjes Schurmmans!

Presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting Z.Zamo Spathara shpreh shqetësimin e tij për ngjarjen dhe bën thirrje që të gjithë personat, vendas apo të huaj, të cilët bëjnë aktivitete sportive dhe aventure si rafting, kayaking dhe eksplorim kanionesh, t’i referohen guidave profesioniste të licencuara dhe të trajnuara nga Federata Shqiptare e Rafting për t’u pajisur me të gjitha informacionet dhe pajisjet e nevojshme për të hyrë në kanion në siguri të plotë. Federata kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve qendrore dhe vendore, si dhe në mënyrë të veçantë, të të gjitha agjencive dhe operatorëve turistikë, të mediave televizive dhe të shkruara që të informohen turistët e huaj për rrezikshmërinë e hyrjes në kanion pa informacionin dhe pajisjet përkatëse.

Përveç kësaj i bën thirrje institucioneve përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor që të gjitha destinacionet turistike natyrore dhe të sportit të aventurës të pajisjen me tabela informuese për nivelin e vështirësisë dhe pajisjet e nevojshme profesionale që kërkon eksplorimi apo aventura në zona të caktuara. Është e domosdoshme që të gjithë turistët të jenë të shoqëruar nga guida të trajnuara nga federata dhe institucionet e posaçme dhe me eksperiencë. Rafting, kanyoning dhe river hiking janë disiplina shumë të bukura por shumë komplekse dhe të rrezikshme nëse guidat nuk janë të trajnuara dhe të kenë eksperiencën e duhur. Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithëve për ta bërë rafting si sport dhe aktivitet turistik sa më të sigurt.