E motra u vra nga duart e të atit, vogëlushi 5 vjeçar i familjes Malaj shpëtoi pasi ishte fshehur

“Ime shoqe e ka pranuar se kishte një lidhje me Massimo-n. Më kërkoi falje për këtë, por unë doja të ndahesha”.

Kështu është shprehur para hetuesve Taulant Malaj, 45 vjeçari i cili vrau shtetasin italian Massimo De Santis dhe mandej të bijën 16 vjeçe në orët e para të së dielës.

Këtë të hënë një sërë mediash italiane e kanë patur rastin në krye të vëmendjes, ndërsa në dritë kanë dalë një sërë detajesh të reja.

I mbushur në urrejtje dhe në gjendje të rëndë psikike, 45 vjeçari ka kërkuar të gjejë të birin, fill pasi qëlloi me thikë të shoqen dhe të bijën 16 vjeçe. Corriere shkruan se vogëlushi mundi të shpëtojë pasi ishte fshehur pas divanit të shtëpisë. Autori ka filmuar edhe pamje të vrasjeve që ka kryer, pamje të cilat për arsye etike nuk do të jenë pjesë e këtij artikulli.

Taulant Malaj ka pranuar vrasjen e dyfishtë para hetuesve dhe mandej u ka shpjeguar atyre, sipas tij, dinamikën e ngjarjes. 45 vjeçari pretendon se kjo nuk ishte hera e parë që e shoqja e kishte tradhëtuar. Ai e kishte falur një herë, ndërsa natën e krimit, po sipas autorit, e kishte parë duke shkëmbyer mesazhe me viktimën, 51 vjeçarin. I mbushur në mëri dhe i xhindosur, 45 vjeçari ka zbritur poshtë pallatit dhe ka pritur ardhjen e shtetasit italian (të dy ishin komshinj), i cili zotëronte një bar-restorant aty pranë.

Sapo 51 vjeçari ka hyrë në ambientet e brendshme të godinës, Malaj e ka qëlluar me një thikë kuzhine disa herë. Fillimisht në pjesën e fytit, mandej 45 vjeçari shqiptar e ka goditur po me thikë italianin edhe për të paktën 20 herë të tjera.

Corriere shkruan se duke iu referuar avokatëve, autori më tej është ngjitur lart dhe ka qëlluar të shoqen. E bija i ka dalë përpara dhe ai ka nisur të qëllojë dhe atë. (16 vjeçarja, Xhesika, ndërroi jetë rrugës për në spital).

Rrëfimi i vëllait të italianit, i cili u vra nga Malaj: Vëllai im s’kishte asnjë lidhje me gruan e autorit

“Nuk kishte asgjë prej gjëje, vëllai im nuk kishte madje as mundësi për t’u takuar me zonjën në fjalë. Ajo vinte në bar për të ngrënë mëngjesin pasi linte fëmijët në shkollë, ndërsa vëllai im në atë kohë ishte në gjumë, sepse ai në bar i bënte të gjitha, pastiçierin e deri tek financat e biznesit. Vëllai im e mbyllte lokalin në orë të vonë. Massimo jetonte këtu me nënën tonë prej 43 vitesh. Nëna jonë, 80 vjeçe, ka mbetur e ve. Raportet mes familjes sonë dhe familjes tjetër ishin të rregullta e normale, raporte mes fqinjëve. Përshëndeteshim e respektoheshim me njëri- tjetrin, edhe me Taulantin. Vëllai im kurrë nuk ka bërë fjalë apo sherre me njeri. Punonte gjithë ditën. Në pikë të mëngjesit bënte pastiçierin ndërsa në darkë mbyllte barin. Rrinte deri në dy të mëngjesit atje, e në kohën e verës edhe më vonë. Nuk kishte ai kohë të bënte ato gjëra. Natën kur u vra e ka mbyllur lokalin në 1 e gjysëm të natës, ka dërguar në banesë punonjëset dhe më pas ka shkuar në shtëpi. Im vëlla nuk kishte motiv që të priste diçka të tillë dhe kjo duket nga fakti se ku e gjetën trupin e tij. E ka masakruar me 21 goditje thike. Në trup nuk kishte shenja të përplasjes fizike, sepse ai nuk e kishte menduar se do t’i duhej të mbrohej. Tanimë, nëna ime është e shkatërruar e veç të birit, mendon dhe për atë vajzën e shkretë, Xhesikan”-tha vëllai i viktimës, siç raportoi “Corriere”.

Si u shpërnda filmimi i rëndë

45 vjeçari Taulant Malaj kreu një filmim me celular, pak minuta pasi vrau shtetasin italian dhe qëlloi me thikë të shoqen e të bijën. Videon mandej e ka dërguar drejt një bashkëpatrioti në veri të Italisë. Ky i fundit ka lajmëruar autoritetet mbi videon, dhe siç shkuan “Corriere”, me gjasë e ka shpërndarë në tjerë njerëz. Video mandej, është shpërndarë gjerësisht.

Burimi: Corriere/ Përshtati me disa shkurtime: FCH.al