Një 44 vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Selanikut, pasi dyshohet se është sulmuar me mjete të mprehta nga e ëma, një e moshuar 71 vjeçare.
“Protothema” shkruan se 71 vjeçarja ka deklaruar përpara policisë se ajo e kishte ngatërruar të birin me të shoqin. Nga ajo që kanë mësuar mediat greke, rezulton se 44 vjeçari po flinte në shtrat në momentin kur e dyshuara ka nisur ta qëllojë me mjet të mprehtë, përfshi këtu edhe në pjesën e kokës.
Ka qenë babai i 44 vjeçarit ai i cili ka parë të birin të gjakosur në shtrat dhe ka lajmëruar menjëherë policinë dhe ambulancën. Oficerët e policisë të cilët erdhën të parët në vendin e ngjarjes, vunë re se kishte tre thika dhe një palë gërshërë që kishin shenja gjaku në lavamanin e kuzhinës, ashtu siç raportoi Thestival.gr.
44 vjeçari u nis me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje kritike, si pasojë e plagëve që ka marrë në kokë. 71 vjeçarja ndërkohë u arrestua, ndërsa hetuesit kanë nisur punën për të zbardhur shkakun e ngjarjes së padëgjuar më parë.