E pazakontë/ Burri në Britani detyrohet të braktisë apartamentin… shkak 100 pickime nga merimangat

Një burrë 56 vjeçar është detyruar të marrë një vendim drastik, të braktisë apartamentin ku jetonte për të jetuar në një kasolle të vogël. Shkaku është i habitshëm e i pazakontë… 56 vjeçari është pickuar të paktën 100 herë nga një koloni me merimanga në apartamentin e tij.

Russell Davies tregoi për “The Sun” se u detyrua të marrë vendimin për t’u larguar nga apartamenti, pasi përgjatë netëve ai është pickuar rreth 100 herë nga afro 20 merimanga. Përtej dhimbjes, burri ka vuajtur dhe psikologjikisht e ka vendosur që të largohet për të qëndruar në një kasolle të vogël për 5 ditë, ndërsa për dy ditë të tjera fle tek shtëpia e një miku të tij.

56 vjeçari tregon se orvatjet për dezinsektimin e apartamentit kanë dështuar, e kësisoj ai u detyrua të largohet derisa të gjejë një zgjidhje përfundimtare.

56 vjeçari i cili jeton i vetëm tha për “The Sun” se “e gjithë kjo situatë ka qenë një ferr i vërtetë. Të jetosh në kasolle nuk është ekzaktësisht ideale, por isha shumë i lumtur për këtë pasi është shumë herë më mirë sesa të jetosh në një apartament të mbushur me merimanga… atje isha tmerruar të shkoja për të fjetur. Gjatë ditës, ato merimanga fshiheshin e veçse gjatë darkës dilnin. S’mund të mbyllja sytë për gjumë prej frikës… por eventualisht do të më zinte gjumi prej lodhjes e kur zgjohesha gjeja në qafë, kurriz e pas veshëve shenja pickimesh”