E pazakontë në Dibër: Drejtoresha e spitalit godet me shishe në fytyrë përgjegjësin e financave

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në ambientet e spitalit të Dibrës, atje ku drejtoresha e spitalit Irini Shehu ka goditur në fytyrë me një shishe shefin e financave, 37 vjeçarin Shaban Uklala. Kallëzimin në polici e ka bërë 37 vjeçari, ndërsa 44 vjeçarja është proceduar penalisht nga policia, në gjendje të lirë.

Siç njoftojnë autoritetet, Shhu e Uklala kanë patur një debat verbal i cili ka degjeneruar në përdorimin e dhunës nga ana e drejtoreshës.

Njoftimi i Policisë Dibër:

Me datë 11.02.2025, rreth orës 12.00, në Komisariatin e Policisë Dibër është paraqitur shtetasi Sh.U., 37 vjeç, banues në Peshkopi, (me detyrë Përgjegjës finance në Spitalin Rajonal Dibër) dhe ka kallzuar se në ambientet e spitalit pas një konflikti verbal, është goditur me një send të fortë në fytyrë nga shtetasja I.Sh., 44 vjeçe, banuese në Peshkopi, (me detyrë Drejtoreshë e Spitalit Rajonal Dibër).

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen I.Sh., e dyshuar se ka kryer veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.