E qëlloi të shoqen me çekiç dhe i këputi veshin duke e kafshuar, prangoset 55 vjeçari shqiptar në Milano

Një 55 vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët e Milanos, një muaj pasi tentoi t’i marrë jetën të shoqes, duke e goditur me çekiç e madje edhe duke e kafshuar.

Mbrëmjen e 25 prillit, 55 vjeçari priti që të dalë nga shtëpia e bija e mitur dhe më tutje hyri brenda për t’u përballur me të shoqen. Media italiane shkruan se i shtyrë nga xhelozia, 55 vjeçari nisi të godasë të shoqen në kokë dhe fytyrë me çekiç.

Ai ngriti volumin e televizorit që të mos dëgjoheshin britmat e të shoqes dhe mandej tentoi ta mbysë me duar. Gruaja ka rezistuar dhe në një moment të përleshjes, burri e ka kafshuar duke i këputur një copë të veshit.

Mrekullisht gruaja ka mundur të shkëputet nga duart e të shoqit dhe ka vrapuar e gjakosur jashtë banesës, duke bërtitur për ndihmë pranë fqinjëve.

Në vendin e ngjarjes ka ardhur menjëherë një patrullë e policisë e cila ka konstatuar se 55 vjeçari ishte arratisur. Autoritetet hapën hetime mbi rastin dhe shpallën në kërkim shqiptarin.

Ky i fundit u gjend afro 1 muaj pas ngjarjes së rëndë, më 21 maj. 55 vjeçari u arrestua teksa qëndronte në shoqërinë e disa shqiptarëve të tjerë, në një park në komunën Garbagnate Milnese. Media italiane shkruan se prokuroria po heton rolin e bashkëpatriotëve të 55 vjeçarit, nëse këta të fundit e kanë fshehur burrin.

Pas arrestimit, shqiptari ndodhet në burgun “San Vittore” të Milanos, atje ku po pret verdiktin e drejtësisë.