Një skuadër me doktorë në Boston kanë arritur të kryejnë me sukses një ndërhyrje mjaft të rrallë në një fetus fëmije (ende në barkun e nënës) që kishte një problem të rrallë në tru, i njohur si keqformimi i venës së Galenit.
Ndërhyrja u bë në trurin e fetusit duke përdorur ultratinguj për të rregulluar keqformimin e venës së Galenit (VOGM), e cila nëse nuk sistemohet sa më parë, sjell keqformim e mandej një kaskadë me probleme që të marrin jetën.
“Dëmtimet e rënda në formimin e trurit e mandej dështimi i funksionimit të zemrës janë dy sfidat me të cilat përballemi kur jemi përpara VOGM-së”- shpjegoi për CNN Darren Orbach, radiolog dhe ekspert i këtij problemi tek foshnjet.
Përgjithësisht, foshnjet që lindin me këtë problematikë, kanë shanse të larta për t’u sëmurë menjëherë e mandej për të ndërruar jetë..
Kur prindërit Derek dhe Kenyatta Coleman mësuan për këtë problematikë mbetën të shokuar, pasi ata ishin prindër të tre fëmijëve dhe kurrë nuk kishin patur asnjë problematikë. Vajza e tyre ende e palindur i shfaqi problemet në javën e 30 të shtatzanisë, kohë në të cilën mjekët kuptuan problematikën në trurin e fetusit dhe në rritjen e përmsave të zemrës.
Burrë e grua diskutuan dhe morën përsipër vendimin e vështirë për të pranuar ndërhyrjen e rrallë e të komplikuar.. Fatmirësisht për nënën dhe foshnjen gjithçka shkoi mirë. Vogëlushja erdhi në jetë pa probleme.
Kanë kaluar tashmë 2 muaj nga lindja e vajzës dhe ajo është në gjendje të mirë shëndetësore e nuk pati nevojë për asnjë kujdes të shtuar.