Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës 30 vjeçari Lulzim Toçi i vuri duart në fyt të shoqes së tij duke e mbytur në sy të dy djemve të mitur, 4 e 6 vjeç. Viktima Eleonora Toçi, ishte veçse 24 vjeçare.
Krimi i rëndë tronditi të gjithë komunitetin e Casertës në Italinë fqinje. Autori u arrestua fill pas vrasjes së të shoqes, ndërsa së fundmi familjarë të viktimës kanë treguar mbi Eleonorën dhe lidhjen e saj me bashkëshortin vrasës.
Eleonora ishte martuar që 16 vjeçe. Kryefamiljari kishte emigruar e jetonte në Itali, ndërsa e ndjera jetonte në Dibër së basku me dy fëmijët. Çifti ishte ndarë para disa muajsh dhe procedurat e divorcit kishin përfunduar edhe formalisht.
Megjithatë, dy muaj më parë, 24 vjeçarja i ishte bashkuar në Itali Lulzim Toçit, së bashku me dy djemtë e tyre. Një e afërme e viktimës tregoi për News24 se Lulzimi pas ndarjes e kishte kërkuar sërish 24 vjeçaren.
“Ata ishin divorcuar dhe ishte kthyer te babai. Më pas burri e kishte kërkuar prapë. Të dyja familjet janë familje të mira. Patën bërë divorcin dhe pasi kanë bërë divorcin, erdhi një ditë te dyqani dhe më tha ‘na ka bërë pasaportat burri mua e fëmijëve dhe do ikim’ dhe kanë ikur para dy muajsh”, tregoi e afërmja.
E afërmja e viktimës më tutje shtoi se Eleonora trajtohej keq nga ana e të 30 vjeçarit, që sipas saj ishte përdorues i lëndëve narkotike.
“Atij Zoti i ardhtë hakut që ka vrarë gocën! Ai ka pirë drogë që ka mbyt gocën. Pleqtë erdhën këtu dhe thanë t’i pajtojmë dhe njëherë pasi u ndanë. Gjoja u rregulluan. E mbyti gocën… Dhe kur ishte këtu në Shqipëri, nuk vinte në shtëpi. Ajo më kishte thënë që vetëm kur pinte drogë ishte për grua. E trajtonte si hyzmeqare. Ishte shumë e urtë. Ai e torturonte. E kanë përdorur si hyzmeqare. Vetë më kishte treguar se burri e kishte akuzuar se ka dashur t’i helmojë familjen”, tha më tej e afërmja.