Ecën 4 orë në këmbë për të ndihmuar turistët e mbuluar nga orteku, rrëfimi i dy të rinjve

Dy të rinj shqiptarë kanë ecur 4 orë e gjysëm në këmbë për t’i shkuar në ndihmë dy turistëve zviceranë të cilët mbetën të bllokuar në malin e Korabit. Në një rrëfim për mediat, të rinjtë kanë treguar se si pasojë e motit të keq janë detyruar të lënë makinën dhe të nisen në këmbë drejt vendit ku kishin mbetur turistët. Këta të fundit i kishin dërguar në celular lokacionin, ndërsa vetë kishin mbetur të mbuluar në dëborë. I riu tregon se i gjetën në një shpat mali, në kufi me Kukësin dhe se një prej turistëve dukej në gjendje të rënduar.

“Më njoftoi axha. Më tha hajde sepse kanë humbur disa turista. U nisëm në këmbë për bjeshkë. Ora ishte 10. U nisëm, më lart nuk ecte makina se ishte bllokuar rruga. Ikëm në këmbë. Ishin dy policë të zonës. Na u desh 4 orë e gjysmë. Ishte shumë e vështirë, frynte shumë. I gjetëm me lokacion. Kishin pas rënë në një shpat, në kufi me Kukësin.

Ishte shumë e vështirë nxjerrja nga orteku sepse ishte brinjë. Ne shkuam dhe iu dhamë ndihmën e parë i nxorrëm prej dëbore. Erdhën të Kosovës dhe iu dhanë ndihmën. Ajo vajza ishte shumë mirë ndërsa djali ishte keq. Ata i kishte zënë dëbora.”, tregoi ai.

I riu tjetër shtoi se kur kanë mundur t’i gjejnë turistët e zënë nga orteku dëborës, vetëm kokat e tyre mund të shiheshin jashtë borës.

 “Ishin të mbuluar me dëbore, vetëm fytyrën e kishin jashtë. Me shumë vështirësi ndërhymë sepse kishte dëborë dhe ngrica.”, tregoi ai.