Edhe aktorët e Hollivudit po i dalin kundër, Biden bëhët gati të përballet me gazetarët në konferencë

Çdo fjalë që thotë, çdo hap që bën, tanimë Presidenti Joe Biden i ka të fokusuar të gjithë sytë e botës tek vetja, teksa ai përgatitet të mbajë një konferencë për shtyp i vetëm, të enjten në mbrëmje.

Por ata që po dalin hapur kundër kandidimit të tij, nuk janë tanimë veçse anëtarët e Partisë Demokratike. Edhe aktorët e njohur të Hollivudit kanë hyrë ‘në skenë’ për të thënë fjalën e tyre. Për t’u veçuar nga zërat e Hollivudit, dalja hapur e George Clooney-t, një mbështetës i kahershëm i demokratëve dhe vetë Biden. Aktori mirënjohur publikoi një opinion në Nju Jork Times, nga ku kërkoi që Presidenti Biden t’i japë fund kandidimit të tij për President, më pak se 4 muaj larg zgjedhjeve të nëntorit.

Clooney shkruan se rënia e aftësive mendore të Presidentit nuk është një iluzion. Ai kujton se muajin e kaluar në Los Angeles ngriti një event për mbledhjen e fondeve për Presidentin, duke shtuar se “Joe Biden me të cilin isha tre javë më parë, nuk më është më Joe i vitit 2010”.

Clooney shton më tutje “Ai nuk është më as Joe i vitit 2022. Ai ishte i njëjti njeri që të gjithë pamë në debat”

Nancy Pelosi, ish-kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve (‘parlamenti) tha pak ditë më parë se “është në dorën e Presidentit për të vendosur nëse do të vijojë garën. Pelosi shtoi më pas se “ne të gjithë e inkurajojmë atë për të marrë vendim, sepse tanimë koha nuk pret”.

Një mesazh ‘elegant’ ky i Pelosit, në kushtet kur Presidenti Biden prej ditësh thotë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga gara.

Veç Pelosit, të shumtë dhe demokratët e tjerë që kanë dalë hapur kundër kandidimit të Biden në nëntor, përfshi këtu dhe senatorë demokratë.

Tanimë pritet me shumë kërshëri se çfarë do të ndodhë të enjten, kohë kur Presidentin 81 vjeçar i SHBA-ve ka planifikuar që të marrë shumë pyetje nga gazetarët.